SHBA, forca speciale në Irak kundër Shtetit Islamik

01/12/2015 00:00

Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë forca të specializuara në Irak me synimin për të rritur presionin ndaj militantëve të Shtetit Islamik, sigurisht duke ndihmuar Irakun, ndërkohë që do të kenë mundësi të kryejnë edhe operacione të njëanshme edhe në Siri.

Lajmi është bërë i ditur nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, gjatë kësaj të marte, i cili ka folur gjatë një mbledhjeje të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve, në Uashington.

“Në bashkëpunim të plotë me qeverinë e Irakut, ne do të dërgojmë një ekspeditë të specializuar forcash shënjestruese, për të ndihmuar forcat irakene dhe ato kurde, të njohur si ‘Peshmerga’, ndërkohë që gjatë këtij misioni do të mund të kryejnë bastisje, të çlirojnë pengje, të mbledhin të dhëna për agjencitë e kundërzbulimit, si dhe të kapin krerët e ISIS”, tha Carter.

Shteti Islamik ka zaptuar territore të mëdha në Irak dhe Siri gjatë verës së vitit 2014. Një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe me pjesëmarrjen e 65 vendeve të tjera ka zhvilluar një fushatë sulmesh ajrore kundër xhihadistëve në të dy shtetet, Irak e Siri.

Top Channel