Kosovë, manifestimi i radhës i opozitës në Gjakovë

01/12/2015 00:00

Partitë opozitare në Kosovë kanë nisur përgatitjet për protesta të reja. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se pas pezullimit nga Kuvendi, opozitës i mbetet  që të protestojë kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi.

Lideri i AAK-së tha se tani protestat e opozitës do të mbahen nëpër qytete të ndryshme të Kosovës: “Do të fillojmë edhe me manifestime në qendra të Kosovës. I pari vjen këtë të shtunë. Gjakova manifeston kundër marrëveshjeve në orën 13:00. Opozita e bashkuar do të prezantojë atje deputetët, meqenëse siç po na thonë, jemi të vetësuspenduar, vetëpërjashtuar, atëherë ne do t’u drejtohemi qytetarëve”.
 
Për vazhdimin e kundërshtimit të marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi ka folur edhe deputetja e Vetëvendosjes Aida Dërguti, në një konferencë të veçantë për media: “Po, ne do të vazhdojmë të intensifikojmë veprimet tona si opozitë e bashkuar, duke mobilizuar edhe qytetarët në kundërshtimin tonë që nënkupton se do të ketë edhe protesta. Por gjithsesi për ne është e papranueshme suspendimi që na është bërë, apo edhe çfarëdo mundësie tjetër për një suspendim më afatgjatë që është tashmë i kundërligjshëm”.    
 
Edhe pse deklarimet e tyre për protesta përfaqësuesit i bënë në konferenca të ndara, ata deklaruan se opozita vazhdon të mbetet e bashkuar në kauzën e saj kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe kundër demarkacionit me Malin e Zi.

Top Channel