Chelsea do Muller për të zëvendësuar D.Costa-n

01/12/2015 00:00

Chelsea kërkon të sjellë në “Stamford Bridge”, Thomas Muller. Sipas asaj që publikohet te “Daily Mirror”, klubi londinez po mendon të largojë Diego Costa-n nga “blutë”, duke parë edhe raportet e acaruara mes tij dhe trajnerit Mourinho kohët e fundit për ta zëvendësuar me futbollistin e Bayern-it, i cili gjatë verës u kërkua edhe nga Manchester United.

Por një lëvizje e Muller në drejtim të Chelsea-t nuk shihet me sy të mirë nga legjenda e futbollit gjerman Lothar Matthaus, i cili e këshilloi sulmuesin e skuadrës bavareze që të mos e marrë në konsideratë transferimin në Premier League.

“Muller nuk ka nevojë të luajë për Manchester United apo Chelsea-n”, tha Mateus. “Barcelona ndoshta mund ta përdorë atë, por nuk e di nëse ai përshtatet me lojën e kësaj skuadre. Për mendimin tim, Muller duhet të qëndrojë përfundimisht te Bayern-i. Ai e nisi karrierën te kjo skuadër dhe idealja është që ta mbyllë po aty”, shtoi legjenda e futbollit gjerman.

Ndërkaq, Chelsea ka vënë në qendër të vëmendjes edhe disa sulmues të tjerë, të cilët do tentojë t’i blejë në merkaton e muajit janar. Njëri prej tyre është sulmuesi i Leicester, Jamie Vardy, që ka vendosur edhe një rekord të ri në kampionat pasi ka shënuar në 11 ndeshje radhazi. Po kështu në shënjestrën e kampionëve të Premier Leagues janë edhe Antuan Grizman i Atletico Madrid dhe Alex Teixeira i Shakhtar Donetsk.

Top Channel