Videot me humor “djegës” që hedhim në Youtube

01/12/2015 00:00

Nëse shohim portalin e Youtube-it, do të vëmë re se, në botën virtuale janë shtuar videot gazmore nga njerëz, që duan të tregojnë një fenomen të caktuar, apo që thjesht ironizojnë gjërat që nuk pëlqejnë.

Falë telefonit “inteligjent”, sot çdonjeri mund të xhirojë, montojë apo t’i vendosë efekte një materiali video apo audio që xhiron. Më pas, falë llogarisë online, futja në Youtube bën pjesën tjetër.

Në pak orë, videoja mund të shihet nga miliona njerëz në mbarë botën, pavarësisht hapësirës gjeografike. Sipas statistikave nga vet faqja, me mijëra video në mbarë botën ngarkohen brenda 24 orëve, duke krijuar një rrjet gjigant shikuesish.

Disa e përdorin Youtube-in për biznes, të tjerë kanë hapur madje televizione, të cilat transmetojnë vetëm online. Ka edhe nga ata, që kanë guxuar të bëjnë filma, vetëm me anë të telefonave dhe stativit.

Njerëz të thjeshtë, pa pasur formim profesional si gazetarë, mund të tregojnë “mëkatin” që shohin pas perdes së shtëpisë, duke regjistruar me kamerën e vogël të celularit.

Shumë të klikuara janë gjithashtu videot humoristike amatore. Shqipëria nuk bën përjashtim nga kjo gjë. Të rinjtë, të frymëzuar nga ato që shohin online, janë përpjekur të krijojnë identitetin e tyre, të përshtatur në realitetin shqiptar.

Mjafton të shohësh klikimet në internet, për të kuptuar se videot komike, ironizuese apo denoncuese janë bërë shumë virale. Njerëzit e pëlqejnë këtë gjë, duke bërë që të gjithë ata, që kanë një talent të caktuar, ta shohin Youtube-in si trampolinë virtuale për të treguar veten.

Top Channel