Assad: Ndërhyrja e Rusisë në Siri ndali ISIS-in

02/12/2015 00:00

Për presidentin sirian, Bashar al-Assad, përfshirja ushtarake e Moskës në vendin e tij ka sjellë ndryshime të qenësishme, përfshirë këtu ngadalësimin e Shtetit Islamik.

Fushata ajrore ruse në mbështetje të Assadit, aleat i vjetër i Rusisë në rajon, nisi nga fundi i shtatorit e sipas kreut të shtetit sirian, bombat ruse kanë arritur të bëjnë brenda një kohe kaq të shkurtër, atë që nuk mundën ta bëjnë në një vit sulmet ajrore amerikane.

“Që prej përfshirjes së Rusisë në këtë luftë, ISIS është tkurrur, ashtu si edhe Fronti al-Nusra apo grupe të tjera terroriste. Faktet flasin vet”, tha Bashar al-Assad.

Në komentet e bëra për një televizion çek, Assadi dënoi ashpër edhe rrëzimin e avionit rus nga Turqia më 24 nëntor, të ndodhur sipas tij brenda territorit sirian.

“Incidenti tregon qartë se Recep Tayyip Erdogan e humbi gjakftohtësinë, për arsyen e thjeshtë se përfshirja e Rusisë ndryshoi të gjithë atë çfarë ishte në lojë. Dështimi i Erdoganit në Siri, dështimi i grupeve të tij terroriste nënkupton fundin e tij politik”, tha Assad.

Rusia e nisi fushatën e saj ajrore në Siri me pretendimin e goditjes së militantëve të Shtetit Islamik, por në fakt, përgjatë kësaj kohe ka goditur më së shumti pozicionet e rebelëve anti-Assad.

Të martën, saktësisht një javë nga incidenti i avionit rus, Presidenti amerikan Barack Obama u kërkoi të dy palëve të ulnin tensionet. Pas një takimi me Erdoganin në Paris, shefi i Shtëpisë së Bardhë ripohoi mbështetjen e Uashingtonit mbi të drejtën e Ankarasë për të mbrojtur veten dhe hapësirën e saj ajrore. Por sërish këmbënguli, që Rusia dhe Turqia të ulin tonet, e të fokusohen tek armiku i përbashkët i të gjithëve: kërcënimi që buron sot nga Shteti Islamik.

Top Channel