E vërteta e Benzema: Përfshirja në shantazh, keqkuptim

02/12/2015 13:30

Për Karim Benzema, çështja e përfshirjes së tij në shantazhin e bërë ndaj Mathieu Valbuenës ishte një keqkuptim. Kështu është shprehur sulmuesi i Realit të Madridit në gjykatë, ku një pjesë e dëshmisë së tij u publikua edhe nga e përditshmja “Le Monde”.

Benzema është nën akuzën e përfshirjes në këtë kërcënim ndaj Valbuenës për një video erotike, me shantazhistët që i kërkuan edhe një shumë të madhe parash lojtarit. Përpara disa kohësh, “Le Monde” publikoi transkriptimin e një bisede mes Benzema dhe një mikut të tij të fëmijërisë, duke e kompromentuar shumë situatën e futbollistit, por sulmuesi 27-vjeçar dha versionin e tij të ngjarjeve, duke theksuar se ai asnjëherë nuk e kishte çuar në mendje që të shtynte Valbuenën për të paguar shantazhistin për këtë video.

“Filimisht doja që Mathieu të ishte në dijeni të gjithçkaje dhe unë e ndihmova. Po flasim për dikë që luan bashkë me mua në kombëtare dhe që është një mik imi”, mësohet të ketë thënë Benzema.

Sulmuesi francez e bëri një deklaratë të tillë edhe për të kundërshtuar intervistën e dhënë nga Valbuena po për “Le Monde”, me mesfushorin që tha se kishte mbetur i zhgënjyer nga Benzema.

Ndërkaq, skandali i shantazhit të Valbuenës ka sjellë edhe ndërhyrjen e politikës. Kryeministri Valls deklaroi se Benzema nuk mund të përfaqësojë Francën, ndërkohë që në mbrojtje të sulmuesit francez doli ish-presidenti Sarkozi, i cili theksoi se Valls flet për gjëra që nuk i njeh dhe se ai nuk është trajner i kombëtares.

Gjithsesi, çështja për përfshirjen ose jo të Benzema në kombëtare vazhdon të jetë e hapur, por nuk përjashtohet mundësia që Deschamps ta përjashtojë përgjithmonë 27-vjeçarin, fat të cilin mund ta ketë edhe vetë Valbuena, i cili do të gjendet i izoluar në një skuadër ku të gjithë janë të lidhur me sulmuesin e Realit.

Top Channel