Emigrantët, Greqia mohon kërcënimet për dëbim nga Schengen

02/12/2015 21:30

Greqia ka pranuar se ndodhet nën presion të fortë sa i takon emigracionit, por ka mohuar me forcë që të ketë pasur një përpjekje zyrtare për ta përjashtuar atë nga zona Schengen.

Zëdhënësja e qeverisë helene, Olga Gerovasili ka deklaruar se pezullimi i Greqisë nga zona në fjalë “nuk është ngritur kurrë si çështje në punimet e BE-së”.

Ajo akuzoi qarqe të caktuara evropiane se, “insistojnë për deformimin e realitetit dhe besojnë se e ardhmja e Evropës mund të ndërtohet mbi reflekse fobike, akuza dhe përjashtime”.

Gerovasili la të nënkuptohej se faji është i vendeve të tjera, si për shembull Sllovakia, që janë bërë sipas saj avokate të masave të ashpra të kontrollit kufitar.

“Të njëjtat qarqe kanë promovuar në ditët e fundit këtë ambjent armiqësor ndaj Greqisë, me kërcënimin e papranueshëm se vendi ynë do të dalë nga Traktati Schengen”, tha zëdhënësja.

Zyrtarë evropianë kanë deklaruar në kushte anonimati se pezullimi i Greqisë nga zona e përbashkët është diskutuar për shkak se Brukseli e akuzon Athinën për keqmenaxhim të fluksit të emigrantëve.

Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian ka deklaruar se shumë fëmijë po vdesin në brigjet helene për shkak të mungesës së ndihmës mjekësore.

Gjithashtu, pakënaqësi ka pasur për shkak se pala greke ka vonuar lejimin e ekspertëve të Bashkimit Evropian për përmirësimin e regjistrimit të refugjatëve.

Top Channel