Parlamenti britanik pritet të votojë për sulmet ajrore ndaj ISIS

02/12/2015 00:00

Pas disa orësh në Londër, Parlamenti britanik do të votojë për të sulmuar nga ajri ose jo objektivat e ISIS në Siri.

Në debatin maratonë prej më shumë se dhjetë orë, në parlament rreth 150 deputet pritet të diskutojnë për pro-t dhe kundra-t e fushatës ushtarake ajrore të avionëve britanikë kundër ISIS në Siri.

Nëse fiton propozimi i kryeministrit për përfshirjen e Britanisë në sulmet ajrore, ato ka gjasa të fillojnë brenda disa orësh. Do të ishte e palogjikshme nëse ende nuk janë piketuar objektivat që do të goditen.

Pritet që 8 avionët “Tornado” që janë në bazën e “Akrotirit” në Qipro të ngrihen në operacion. Po ashtu, 10 avionët pa pilot, “Reaper”,  të stacionuar në Kuvajt, do të ofrojnë survejimin dhe të dhënat sekrete për objektivat.

Britania është e përfshirë praktikisht në sulme ajrore ndaj ISIS në Irak, por dy vjet më parë Parlamenti britanik dhe laburistët kryesisht, votuan kundër këtyre sulmeve, të cilat janë bërë më urgjentë pas sulmeve terroriste në Paris.

Kryeministri Cameron ka argumentuar se rreziku nga ISIS është “mëse real”, duke u kujtuar deputetëve se  ky grupim ka vrarë 30 britanikë në Tunizi dhe ka planifikuar një sërë komplotesh në terrorin britanik, ku vetëm gjatë këtij viti janë eliminuar 7 prej tyre.

Sakaq, vetëm sot janë arrestuar në Britani katër të dyshuar për sulme terroriste. Sipas Camerun,  “pyetje është kjo; a do të bashkëpunojmë me aleatët për të degraduar dhe shkatërruar këtë rrezik dhe a do i ndjekim këmba-këmbës këta terroristë në bazat e tyre nga ku komplotojnë  për të vrarë britanikët, apo do ulemi këmbëkryq e të presim të vijnë e bëjnë gjëmën”.

Kryeministri britanik ka besim se të paktën 50 deputet të opozitës laburiste do të votojnë “pro” qeverisë dhe do të shmang votimin e sikletshëm të para dy vjetëve, kur parlamenti votoi kundër këtyre sulmeve. Pritshmëria është se Britania pas mesnate do të jetë e përfshirë në sulme ajrore ndaj objektivave të ISIS në Siri.

Top Channel