Turqit në Rusi, peticion Putinit: Fund propagandës së urrejtjes

02/12/2015 22:20

Taksa lufta diplomatike mes Ankarasë dhe Rusisë vazhdon, mijëra turq që jetojnë në Rusi kanë frikën se gjërat për ta kanë ndryshuar prej momentit të vënies në fuqi të sanksioneve.

Ata kanë hapur një peticion online drejtuar presidentit Putin dhe zyrtarëve të tjerë të lartë rusë, ku i bëjnë thirrje për të ndaluar propagandën e urrejtjes nacionale ndaj turqve. Peticioni gjithashtu i bën  thirrje autoriteteve të emigracionit që të lejojnë shtetasit turq të vazhdojnë të jetojnë dhe  të punojnë të qetë.

Në rajonin e Tatarstanit, ku dominon grupi etnik Tatar, me origjinë turke, kompanitë turke aty kanë investuar më shumë se 1 miliardë paund dhe janë përgjegjës për 25% të të gjitha investimeve të huaja.

“Tatarët dhe turqit kanë një lidhje shumë të fortë mes tyre”, shpjegon shefja e një agjencie zhvillimi në rajon Taliya Minullina. Ajo shton se lidhja mes tyre është fakt i qartë për të gjithë dhe kjo nuk varet nga politika, pasi i bashkon origjina, gjuha, feja dhe kultura .

Ndërkohë që ministri i Kulturës në Rusi, Vladimir Medinsky ka urdhëruar  Tatarstanin  dhe disa rajone të tjera të Rusisë që kanë grupe etnike turke, për të shkëputur të gjitha kontaktet me Turqinë.

Po ashtu, vendimi i ministrisë ruse të Arsimit për të ndërprerë kontratat akademike me universitetet turke, ka nxitur reagime të shumta.

Pavarësisht se zyrtarët  thanë se nuk do të ketë sanksione ndaj nxënësve turq në Rusi, ka pasur raporte ngacmimesh dhe rritje të frikës në komunitetin e studentëve turq. Në qytetin e Saratov, policia kontrolloi  dhomat e 20 nxënësve me qen nuhatës, për përdorimin e lëndëve narkotike, duke përdorur si kriter përzgjedhje , kombësinë e tyre. Studentët u morën në pyetje nëse përdorin drogë, si edhe nëse ishin të pajisur me dokumente.

Në një grup në “Facebook”, të hapur enkas nga Këshilli Studentor për studentët turq në Rusi, i këshillon ata që të mos dalin nëpër  klubet e natës apo kinema, përveç rasteve  urgjente, dhe vetëm të shoqëruar nëpër grupe të mëdha.

Top Channel