Renditja e FIFA-s, Shqipëria zbret në vendin e 38

03/12/2015 12:30

Kombëtarja shqiptare zbret sërish shkallët e renditjes së FIFA-s. Këtë radhë, skuadra jonë përfaqësuese humbi 2 pozicione në klasifikim dhe tashmë e sheh veten në vendin e 38. Barazimi 2-2 në ndeshjen miqësore me Gjeorgjinë në stadiumin “Qemal Stafa” duket se ka ndikuar në këtë zbritje të renditjes së skuadrës sonë kombëtare, që është në kuotën e 746 pikëve në total.

Përsa u përket vendeve të para, Belgjika vazhdon të jetë në krye me 1494 pikë, e ndjekur në vendin e dytë nga Argjentina me 1455. Spanja ka fituar 3 pozicione dhe tashmë e sheh veten në vendin e tretë, duke spostuar një shkallë më poshtë Gjermaninë.

Klasifikimi vijon me Kilin dhe Brazilin, me këtë të fundit që është ngjitur në vendin e 6, ndërkohë që një muaj më parë ishte në vendin e tetë. Portugalia ka zbritur në vendin e shtatë, ndërkohë që kanë humbur pozicione edhe Italia e Franca.

Top Channel