Gruevski, “dëshmitari” i parë i hetimeve për skandalin e përgjimeve

03/12/2015 00:00

Kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski është dëshmitari i parë, që duhet të dalë përpara Komisionit hetimor në Parlament, për skandalin e përgjimeve.

Pas tij, me kërkesë të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, para komisionit do të dëshmojnë edhe ministri i Financave, Zoran Stavrevski, ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankulovska, ish-ministri i Transportit Mile Janakievski, ish-shefi i Shërbimit Sekret, Sasho Mijalkov dhe Martin Protugjer, shef i kabinetit të kryeministrit.

Pas këmbënguljes së VMRO-DPMNE-së, komisioni ka vendosur që këto seanca të mos jenë publike.

“Vlerësojmë se, këta janë personalitete të rëndësishme politike, që posedojnë informacione të duhura për rastin. Ne si parti nuk kemi çfarë të fshehim, ndaj dhe kërkojmë që e vërteta të zbardhet sa më parë”, tha Antonio Miloshovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Por, sipas LSDM-së, përmes mbylljes së seancave, VMRO-DPMNE-ja po kërkon të fshehë nga qytetarët aferat e e funksionarëve të saj.

“Është e qartë se VMRO-DPMNE-ja nuk dëshiron të zbatohet marrëveshja për funksionimin e Komisionit hetimor, që ka për detyrë të vërtetojë përgjegjësinë politike për zyrtarët e pushtetit, që kanë keqpërdorur pozitat e tyre”, tha Petre Shilegov, deputet i LSDM-së.

Partia Demokratike Shqiptare nuk ka propozuar listë me dëshmitarë pranë Komisionit hetimor, pasi nuk iu beson institucioneve dhe vlerëson se, shkaktarët e krizës nuk mund ta zgjidhin atë.

“Duke pasur parasysh raportin e OSBE/ODIHR-it dhe raportin e progresit, zgjedhjet kanë qenë të kriminalizuara dhe, si rezultat i tyre, situata erdhi deri te degjenerimi i institucioneve. Prandaj nuk e pamë të arsyeshme, që shkaktarë të krizave të jenë pjesë e zgjidhjes së këtij lëmshi”, tha Ernad Fejzullahu, deputet i PDSH-së.

Komisioni hetimor, që pritet të vërtetojë përgjegjësinë politike për përgjimin ilegal dhe përmbajtjen e materialeve të përgjuara, ka miratuar të enjten planin e punës. Raporti i këtij komisioni duhet të jetë gati deri më 31 janar të vitit 2016.

Top Channel