Masakra e Kalifornisë, Obama: Lidhja me terrorizmin, ende e mundshme

03/12/2015 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama ka bërë të ditur se hetuesit nuk e kanë përjashtuar ende terrorizmin, si shkak të asaj masakre të ndodhur në jug të Kalifornisë vetëm një ditë më parë.

Duke folur nga Zyra Ovale, Obama tha se investiguesit nuk e dinë ende se çfarë e motivoi “ngjarjen e tmerrshme” në San Bernardino, ku mbetën të vdekur 14 persona dhe 17 të tjerë u plagosën.

“Sigurisht që është e mundshme që kjo ngjarje të jetë e lidhur me terrorizmin, por nuk e dimë me saktësi tani”, tha ai për reporterët. “Por është gjithashtu e mundur që kjo të ketë lidhje edhe me vendin e punës”.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se hetuesit duhet të grumbullojnë të gjitha faktet e mundshme, përpara se të mund të arrijnë një gjykim përfundimtar, se çfarë e shkaktoi sulmin me armë nga një çift të martuarish, burrë e grua.

Obama tha se, megjithëse shumë amerikanë ndihen të pafuqishëm për të ndalur të tilla ngjarje të dhunshme, ka ende role të vogla që mund të luajë gjithsecili, përfshi edhe ligjvënësit.

28-vjeçari Syed Rizëan Farook dhe 27-vjeçarja Tashfeen Malik hapën zjarr gjatë mëngjesit të së mërkurës në një qendër të shërbimeve sociale, përpara se të vriteshin pas shkëmbimzjarrit me policinë.

Autoritetet amerikane kanë pasur vështirësi në gjendjen e shkakut se, përse çifti i të rinjve shënjestruan pikërisht një event festiv, ku merrnin pjesë kolegët e Farook në departamentin e shëndetësisë së kantonit.

Ai u largua nga shfaqja pas një grindjeje të mundshme, për t’u rikthyer pak më vonë së bashku me bashkëshorten Malik. Policia dhe autoritetet federale janë vënë në kërkim të të dhënave të rëndësishme për të dytën ditë me radhë, teksa kanë kërkuar edhe në shtëpinë e çiftit në Redlands, rajon fqinj me San Bernardinon.

Autoritetet federale kanë bërë të ditur se dy automatikët dhe dy pistoletat që janë përdorur gjatë agresionit, janë të gjitha të blera në mënyrë të ligjshme 4 vite më parë në Shtetet e Bashkuara. 10 prej të plagosurve mbeten ende në spital, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë për jetën.

Top Channel