“Ghosting”, fenomeni që po shndërrohet në tendencë

03/12/2015 00:00

Kur merr fund një lidhje dashurie, jo gjithnjë kalon pa vuajtje. Për shumë njerëz, vuajtja varet nga mënyra për t’i dhënë fund një marrëdhënieje.

Dikush, që e cilëson veten si më të guximshëm, i bën gjërat e qarta në një takim, ku tregon se cilat ishin elementët, që një marrëdhënie nuk arriti dot të funksiononte.

Por me përhapjen e rrjeteve sociale, shumë prej të rinjve, përveç se si mënyrë komunikimi e flirti, e shohin edhe si mënyrë për të shkëputur marrëdhëniet e tyre të mëparshme. Megjithatë sa e ndershme është të ndahesh me të dashurin ose të dashurën, duke u fshehur pas ekranit të një “smartphone” ose në rrjetin social Facebook?

Rastet tregojnë se, asnjë prej ndarjeve nuk dhemb më shumë sesa zhdukja e partnerit, kur një ditë të bukur ai s’të telefon më dhe nuk dëgjon kurrë për të, megjithëse mund të keni pasur një lidhje intensive dhe keni ndërtuar edhe plane.

Ky është një fenomen që nuk mbetet thjesht në filma, por kohët e fundit ka infektuar edhe realitetin tonë. Kjo ndarje lë pas shumë pikëpyetje.

Megjithatë, shumë nga marrëdhëniet e dashurisë nuk përjetohen si fundi i botës, madje një prej shembujve më të mirë vjen nga bota e muzikës. Këngëtaren e famshme Adele, vuajtja nga ndarja me të dashurin, bëri që baladat e saj të jenë kaq shumë të pëlqyera.

Tipa të ndryshëm e përjetojnë ndryshe ndarjen. Disa kanë më shumë autokontroll te vetja, duke e quajtur atë një histori të mbyllur, duke i thënë vetes se nuk është fundi i botës dhe se duhet të ecin përpara. Dikush tjetër pëson një zhgënjim kaq të madh, saqë rri i mbyllur në shtëpi dhe shikon vetëm profilin e Facebook të ish-partnerit, duke e përndjekur.

Megjithatë, për të shuar kuriozitetin, sidomos në këto rastet e fundit të ndarjeve, Facebook pritet të prezantojë një opsion të ri, i cili aktivizohet menjëherë sapo një përdorues ndryshon statusin, nga “i angazhuar në një marrëdhënie” në “beqar”.

Ky opsion vendos nëse dikush do të shohë ose jo postimet e ish-partnerit, pa pasur nevojën ta heqë nga lista e miqve.

Top Channel