BE diskuton të premten mbi pezullimin e përkohshëm të Schengenit

03/12/2015 00:00

Këshilli i ministrave të Brendshëm të BE-së pritet të diskutojë të premten mundësinë e pezullimit të regjimit të lëvizjes së lirë e pa viza në zonën “Schengen”, për një periudhë që parashikon më së shumti deri në dy vite.

Këshilli i ministrave të Brendshëm të BE-së pritet të diskutojë të premten mundësinë e pezullimit të regjimit të lëvizjes së lirë e pa viza në zonën “Schengen”, për një periudhë që parashikon më së shumti deri në dy vite.

Propozimi i Luksemburgut, që mban Presidencën e BE-së deri në fund të këtij muaji, justifikohet me krizën e refugjatëve, që shfaqi “deficenca serioze” në kufirin grek, duke vënë në rrezik të gjithë zonën europiane.

Nëse 28 ministrat e BE-së pajtohen për të zbatuar nenin 26 të “Kodit Schengen”, atëherë pritet të mbeten në fuqi për një kohë të gjatë kontrollet e përkohshme kufitare të disa shteteve, të vendosura me miratimin e Komisionit Europian që prej verës.

“Gjatë muajve të fundit, disa shtete anëtare kanë aktivizuar mundësitë e parashikuara në nenet 24 dhe 25 të ‘Kodit Kufitar Schengen’ për rrethana të parashikuara, apo të paparashikuara, në rivendosjen e kontrollit të brendshëm për arsye të sigurisë publike”, tha Natasha Bertraud, zëdhënëse e KE-së.

Aktualisht, Komisioni Europian ka pranuar zyrtarisht rivendosjen e kontrollit të përkohshëm kufitar në kuadër të “zhvillimeve për veprim të menjëhershëm” nga Norvegjia, për periudhën 26 nëntor – 6 dhjetor, si dhe nga Suedia për periudhën 12 nëntor – 11 dhjetor.

Ndërkohë që ka pranuar rivendosjen e përkohshme të kontrolleve për arsye të “ngjarjeve të parashikuara” nga Austria, për periudhën 16 nëntor – 15 shkurt 2016; nga Gjermania për periudhën 14 nëntor – 13 shkurt 2016; nga Franca gjatë 13 nëntorit deri më 13 dhjetor të këtij viti; dhe Malta nga 9 nëntori deri më 31 dhjetor 2015 (samiti i Valetës).

Brukseli vijon paralajmërimet ndaj Athinës për rikthim të vendosjes së kufijve me Europën, nëse nuk përmbush pritshmëritë e partnerëve deri në mes të dhjetorit, kur mbahet samiti europian i krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së. Në rast të kundërt, disa diplomatë të vendeve anëtare përsërisin se “Greqia rrezikon seriozisht daljen nga Schengeni”.

“Mbeten edhe dy javë deri në samitin europian dhe, këto dy javë duhen përdorur për të prodhuar progres të prekshëm në terren”, tha Margaritis Schinas, kryezëdhënës i KE-së.

Marrëveshja e firmosur fillimisht nga 5 vendet themeluese (Belgjika, Luksemburgu, Franca, Holanda e Gjermania) të BE-së, në 1985-n në qytezën Schengen të Luksemburgut, përfshin sot 26 shtete europiane, 4 ndër të cilat janë vende jo anëtare të BE-së.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel