Masakra e Kalifornisë, arsenal i tërë armësh në shtëpinë e agresorëve

03/12/2015 00:00

Vetëm pak pas deklaratës së Presidentit Obama nga Shtëpia e Bardhë mbi të njëjtën ngjarje, agjentët e FBI-së kanë zbuluar rreth 5 mijë plumba, dhjetëra bomba artizanale dhe qindra mjete për prodhimin e mjeteve shpërthyese në një shtëpi në Kaliforni, që mendohet se ka lidhje me autorët e sulmit në San Bernardino, Sajed Faruk dhe bashkëshorten e tij.

Lajmi vjen ndërkohë që mësohet se 28-vjeçari Faruk, i lindur në Shtetet e Bashkuara nga një familje pakistaneze, duket se është radikalizuar dhe ka qenë në kontakt nëpërmjet telefonit dhe mediave sociale me më shumë se një subjekt të terrorizmit ndërkombëtar, raporton CNN, duke cituar hetuesit.

Shefi i policisë së San Bernardinos tha në një konferencë për shtyp se, Faruk dhe bashkëshortja e tij 27-vjeçare, Tashfeen Malik, kishin qëlluar me 65-75 plumba brenda sallës në “Inland Regional Center”. Gjatë një përplasjeje me policinë në Redlands, 5 orë pas masakrës në San Bernardinos, çifti qëlloi ndaj policëve, që kthyen zjarrin duke qëlluar fuoristradën “Ford Expedition” me 380 plumba.

Si Faruk ashtu edhe Malik u shpallën të vdekur në vendngjarje. Kur oficerët e rendit kryen kontrolle në mjetin me targa të Utas, gjetën më shumë se 1600 plumba përreth agresorëve të vrarë. Kur agjentët federalë kërkuan në një banesë në qytetin Redlands, të lidhur me një pjesëtar të familjes së Farukut, por që në media të tjera thuhet se ishte marrë në u zbulua atje një arsenal i vërtetë municionesh: 2000 plumba 9 mm, mbi 2500 plumba të llojeve të tjera, si edhe 12 bomba dhe mjete për të ndërtuar mekanizma shpërthyes.

Top Channel