Takimi Lavrov-Cavusoglu; asnjë ndryshim në marrëdhëniet e tensionuara Rusi-Turqi

03/12/2015 00:00

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, pas takimit me homologun e tij turk, në kuadër të samitit të OSBE-së në Beograd, por që në thelb ka pasur rrëzimin e avionit rus nga forcat ajrore turke në kufirin turko-sirian, tha se “nuk dëgjoi asgjë të re” pas kontaktit të parë dypalësh të nivelit të lartë mes dy vendeve, që prej incidentit ajror të 9 ditëve më parë.

Moska dhe Ankaraja janë futur në një “betejë” të ashpër fjalësh por dhe sanksionesh, të njëanshme deri më tani, për shkak të asaj çfarë ndodhi kur Turqia rrëzoi avionin luftarak “SU-24” pranë kufirit me Sirinë, teksa merrte pjesë në fushatën ajrore të Kremlinit kundër terroristëve në Siri.

Presidenti rus, Vladimir Putin e përshkroi incidentin si një krim luftë gjatë së enjtes dhe tha se Turqia do të përballet me sanksione të mëtejshme. Moska ka ndaluar deri më tani importin e produkteve ushqimore nga Turqia, si pjesë e një pakete të gjerë sanksionesh hakmarrëse”.

“Jemi takuar me kreun e Ministrisë së Jashtme turke pas kërkesës së tij këmbëngulëse. Megjithatë, nuk kemi dëgjuar asgjë të re prej tij”, tha Lavrov gjatë një konference për shtyp. Ai tha se Rusia e ka ritheksuar edhe njëherë pozicionin e saj gjatë takimit të tij me Mevlut Cavusoglu, qeveria e të cilit pretendon se avioni rus kishte shkelur hapësirën ajrore të Turqisë dhe për këtë ishte paralajmëruar disa herë.

Cavusoglu është cituar nga rrjeti televiziv turk “TRT” të ketë thënë se, do të ishte aspak realiste të priste që të gjitha problemet me Rusinë të zgjidheshin pas një takimi të vetëm, por theksoi se është e rëndësishme të ruhen kanalet e komunikimit të hapura.

Në konferencën e tij për shtyp gjatë samitit të OSBE-së, Cavusoglu tha se “incidenti i ndodhur më 24 nëntor nuk duhet të na konfuzojë në lidhje me luftën tonë kundër armikut tonë të përbashkët, siç është Daesh (referuar ISIS-it në arabisht), terrorizmit në përgjithësi; dhe se nuk duhet të abuzohet për qëllime politike”.

Ndërkohë, në një deklaratë për “Itar-TASS”, kryediplomati rus Lavrov ka thënë se ka marrë mirëkuptimin e Shteteve të Bashkuara se është e nevojshme të mbyllet kufiri mes Turqisë dhe Sirië.

“Kemi diskutuar mbi luftën kundër ISIS-it me Kerryn, – tha ministri i Jashtëm rus. – John Kerry ra dakord me mua se, mbyllja e kufirit turko-sirian dhe atij turko-iraken, pasi të dyja janë të ndërlidhura me këtë çështje, janë mes masave më urgjente që duhen ndërmarrë”.

“Sesi duhet bërë kjo, ju e dini shumë mirë idenë tonë se kush duhet të bashkëpunojë, – është cituar të ketë thënë Lavrov. – Amerikanët duket se janë dakord që kjo duhet bërë. Kemi mirëkuptim gjithashtu se kurdët janë aleatët tanë në këtë çështje, duke qenë se edhe ata janë të përfshirë në përpjekjet anti-ISIS. Ata janë aleatë të SHBA-ve dhe shumë vendeve europiane, të cilat po ndihmojnë vullnetarët kurdë në përpjekjet e tyre antiterroriste”.

Megjithatë, Lavrov ka shtuar se “është e natyrshme që mbyllja e kufijve është një çështje që duhet bërë vetëm si pjesë e përpjekjeve gjithëpërfshirëse të të gjithë palëve në terren, si dhe duhet mbështetur nga mbështetja ajrore”.

Top Channel