SHBA, Obama: Kemi përforcuar sigurinë në prag të festave

04/12/2015 00:00

Teksa mbeten ende të paqarta arsyet e sulmit në qendrën mjekësore të Kalifornisë ku 14 persona humbën jetën dhe 17 u plagosën, Presidenti Barack Obama shprehu besimin e tij se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të sigurta nga sulmet terroriste. Me bindje të plotë, Obama tha se autoritetet janë përforcuar në shkallën maksimale për të ruajtur kombin e tyre.

“ISIS nuk paraqet një kërcënim ekzistencial për ne. Ata janë një organizatë e rrezikshme si Al-Kaeda, por ne e kemi përforcuar mbrojtjen tonë. Populli amerikan duhet të ketë besim, ne kemi aftësinë për t’u vetëmbrojtur dhe sigurisht t’ju bëjmë të ndiheni të sigurtë edhe në periudhën e festave”, u shpreh Obama.

Obama bëri thirrje për qetësi duke thënë se ISIS do të fitojë vetëm nëse ne do të reagojmë me frikë. Megjithatë me këtë deklaratë Obama nuk i hodhi poshtë dyshimet se një nga pistat e lidhura me sulmin mund të jetë ajo e terrorizmit.

“FBI ende nuk e di nëse sulmi lidhet me arsye pune apo arsye terrorizmi. Ne do ta zbulojmë. Kur individë të caktuar vendosin t’i bëjnë keq dikujt, ne do t’ua vështirësojmë sepse tani është shumë e thjeshtë për ta të kryejnë vrasje të tilla masive”, vazhdoi shefi i Shtëpisë së Bardhë.
 
Sulmi në San Bernadino mbetet ende një mister për autoritetet, ndonëse identiteti i agresorëve është zbardhur. Dy ishin bashkëshortët Syef Rizwan Farook dhe Tashfeen Malik, ndërsa personi i tretë mbetet ende në kërkim.

Për autoritetet motivet e kujtdo që planifikon një vrasje të tillë masive janë të turbullta e komplekse. Por, motive se përse një çift i ri nga Arabia u detyrua të linte vajzën e tyre 6-muajshe tek nëna e Farook vetëm që të kryente krimin makabër, mbetet një pistë e paqartë akoma.
 
Te dy ata ishin të armatosur deri në dhëmbë, të pajisur me eksplozivë dhe me veshje ushtarake, por as këto armatime nuk i shpëtuan nga shënjestra e policisë, ku pas një shkëmbimi të gjatë zjarri çifti gjeti vdekjen.

Farook punonte në agjencinë që organizonte festën e Krishtlindjeve për qendrën mjekësore, një festë e cila përfundoi e përgjakur. Agresori 28-vjeçar kishte lindur në Amerikë , ku edhe punonte si specialist ambienti. E kaluara e tij nuk kishte ndonjë dosje kriminale, por kolegët e tij thanë se Farook udhëtoi drejt Arabisë dhe u kthye me një bashkëshorte të re e cila rezultoi të ishte edhe bashkëpunëtore e masakrës së Kalifornisë.
 
Një analizë e “Shooting Tracker” jep shifra alarmante për vrasjet masive ne SHBA. Sipas raportit te tyre, janë shënuar 1051 viktima gjatë 1066 ditëve të fundit, që sikurse vetë Obama e pranoi, kjo është një nga sfidat që përballet vendi i tij.

Top Channel