Egjipt, bomba molotov në restorant; vdesin 16 persona në Kajro

04/12/2015 09:45

16 vetë janë vrarë në një restorant të Kajros, pas hedhjes së bombave molotov në ambientet e brendshme të tij. Sulmi ndodhi në lagjen Agouza, në zemër të kryeqytetit egjiptian. 

Ministria e Brendshme nxori një njoftim ku thuhet se incidenti, me shumë gjasë, ka ardhur si pasojë e një sherri mes punonjësve të restorantit dhe personash të tjerë në zonën që strehon edhe një klub nate.

Raportet në median vendase tregojnë se mjetet shpërthyese i hodhën tre burra të maskuar, të cilët u larguan me shpejtësi nga vendngjarja. Por duke qenë se restoranti vetë ishte në katin përdhes të godinës, klientët e tij e patën më të vështirë të shpëtonin.

Pamjet filmike treguan shtëllunga tymi që dilnin nga dera e godinës dhe kalimtarë të rastit që tentojnë të afrohen. Viktimat vdiqën një pjesë nga djegiet, të tjerë të mbytur nga tymi. Të paktën 5 persona mbetën të plagosur.

Kajro është tronditur kohët e fundit nga një seri sulmesh kundër forcave të sigurisë, por edhe civilëve, dyshimet për të cilat kanë rënë mbi militantët islamikë. Që prej përmbysjes së presidentit Mohamed Mursi në vitin 2013, rebelimi islamik në Egjipt ka ardhur duke u intensfikuar, çka nga autoritetet vendase shihet me shqetësim.

Top Channel