Bundestagu vendos për sulmet ndaj ISIS-it

04/12/2015 10:25

Parlamenti gjerman do të vendosë ditën e sotme për përfshirjen ushtarake në sulmet kundër militantëve të ISIS-it në Siri.

Bundestagu pritet të miratojë propozimin e kaluar më herë nga qeveria e Angela Merkel dhe menjëherë pas këtij votimi, frigata “Sachsen” do t’i bashkohet aeroplan-mbajtëses francez “Charles de Gaulle”, gjithashtu e angazhuar kundër terroristëve.

Pas këtij hapi, do të jetë radha e tornadove zbulues, një frigatë tjetër dhe 1200 ushtarë që pritet të zhvendosen në rajon. Megjithatë, roli i Berlinit në luftime do të jetë i kufizuar. Ushtria gjermane nuk do të përfshihet drejtpërdrejtë në sulmet kundër ISIS-it, por do të ofrojë kryesisht shërbime zubluese.

Vota në Bundestag mbërrin pas thirrjes franceze për më shumë angazhim kundër ekstremistëve, thirrje që pasoi sulmet terroriste të 13 nëntor në Paris.

Megjithëse bëhet fjalë për një përfshirje të moderuar, nisma e Angela Merkel ka gjetur kundërshtarë në parlament. Disa ligjvënës gjermanë e kundërshtojnë atë duke deklaruar se kjo do të vendoste vendin e tyre në shënjestër të terroristëve. Ky argument rrëzohet prej ministrave të kabinetit, që votën pro nuk e shohin vetëm si solidarizim me Francën, por edhe si kontribut për të parandaluar sulmet terroriste në tokën gjermane. “Gjermania rrezikohet nga sulmet terroriste edhe pa përfshirjen ushtarake në Siri”, thonë ata.

“Dy vite më parë nuk mund ta imagjinoja se në çfarë ferri do të përfshiheshim”, deklaroi ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen gjatë kësaj jave.

Nëse do të miratohet dhe gjasat janë po, ky do të ishte operacioni më i madh i Gjermanisë jashtë kufijve të vet që prej Luftës së Dytë Botërore dhe do t’u kushtojë financave të vendit një shumë fillestare prej 134 milionë Euro.

Top Channel