Terrorizmi, pista kryesore e hetuesve për sulmet në Kaliforni

04/12/2015 11:15

Çifti i dyshuar për masakrën që la 14 persona të vdekur në një resort pushimi në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara, ishte armatosur deri në dhëmbë me armë luftarake të kalibrit të rëndë dhe bomba artizanale.

Kjo është një pjesë e raportit të deritanishëm të hetuesve amerikanë që po mundohen të zbardhin motivet dhe mundësinë nëse çifti i bashkëshortëve Syed Rizëan Farook, 28 vjeç dhe Tashfeen Malik, 27 vjeçe, të kenë lidhje me ndonjë rrjet ndërkombëtar terrorizmi.

Sayed dhe Tashfeen mbetën të vrarë nga policia amerikane pas 5 orësh terror në një qendër të sociale në San Bernardino, 60 kilometra larg Los Anxhelesit.

Si pasojë e sulmit, 21 persona mbetën të plagosur duke e bërë këtë masakër tragjedinë më të madhe që prej çmendurisë së Sandy Hook, në Connecticut, ku u vranë 27 persona.

Zyrtarë në Uashington thonë se deri më tani nuk ka asnjë provë që të lidhë dy autorët me ndonjë grup ekstremist, por hetimet po vazhdojnë dhe janë përqendruar kryesisht në aktivitetin social në internet të autorëve, në përpjekje për të gjetur gjurmë që i lidhin me faqet ekstremiste dhe xhihadiste.

Top Channel