Rëndohet gjendja e refugjatëve, tensione në kufirin greko-maqedonas

04/12/2015 00:00

E mjerueshme paraqitet gjendja në kufirin greko-maqedonas, me numrin gjithnjë e në rritje të emigrantëve dhe kushtet e vështira të jetesës.

Më shumë se 7000 syresh gjenden në fshatin Idhomeni, ndër të cilët 3500 janë sirianë, irakianë dhe afganë, por të irrituar nga mënyra e trajtimit pjesa tjetër ka bërë bllokadë duke mos lejuar të kalojë asnjë prej tyre.

Mbrëmja e së enjtes mund të përshkruhet si më e vështira, pasi të shumtë ishin ata që bllokuan hyrjen për në tokën maqedonase të emigrantëve të luftës. Edhe më e vështirë u bë situata pas humbjes së jetës të një 22-vjeçari maroken, i cili ra në kontakt me një kabull transmetues të tensionit të lartë dhe gjeti vdekjen e menjëhershme. Gjendja u qetësua disi vetëm me ndërhyrjen e forcave policore dhe gjatë natës arritën të kalonin kufirin mbi 1100 persona.

Policia kufitare e Maqedonisë herë pas here bllokon kufirin në sajë të trazirave apo përpjekjes së refugjatëve të kalojnë përtej, duke u futur mes turmave të emigrantëve të luftës. Kushtet e jetesës janë ndër më të vështirat. Temperaturat e ulëta gjithashtu nuk e ndihmojnë këtë situatë.

Top Channel