Kosovë, opozita e bashkuar refuzon ftesën për dialog nga Mustafa

04/12/2015 00:00

Opozita e bashkuar në Kosovë refuzoi ftesën e kryeministrit, Isa Mustafa, për dialog politik në favor të zgjidhjes së ngërçit të krijuar.

Visar Ymeri, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, pas një takimi gjatë pasdites së të premtes, dolën me qëndrimin e përbashkët se, zgjidhja e vetme mbetet anulimi i dy marrëveshjeve, Asociacionit dhe demarkacionit, si dhe lirimi i të gjithë të arrestuarve si pasojë e këtyre zhvillimeve.

Kreu i AAK-së shtoi se, ftesa për dialog do të kishte kuptim, nëse ajo do të vinte më 26 gusht, një ditë pas nënshkrimit të dy marrëveshjeve në Bruksel.

“Ne kemi një propozim për kryeministrin: anulimin e marrëveshjeve dhe lirimin e të gjithë atyre, që janë arrestuar për këtë çështje”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

“Nëse ata nuk janë të gatshëm të veprojnë për ta mbrojtur Kosovën, atëherë iu takon forcave progresive që ta bëjnë këtë. Nuk ka rrugëdalje tjetër përveç se, që Republika e Kosovës të kthehet në normalitet dhe kthimi në normalitet ështe duke hequr kërcënimet përmes marrëveshjeve”, tha Visar Ymeri, kryetar i VV-së.

“Shpresojmë që në të ardhmen ata t’i marrin parasysh kërkesat tona”, tha Fatmir Limaj, kryetar i “Nismës për Kosovën”.

Kosova është futur në një krizë të thellë politike që nga muaji gusht i këtij viti, kur kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi nënshkruan dy marrëveshje në Bruksel, atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Top Channel