Masakra e Kalifornisë, FBI: Po hetohet si akt terrorizmi

04/12/2015 00:00

Byroja Federale e Hetimit ka bërë të ditur këtë të premte se po e heton zyrtarisht masakrën e Kalifornisë si të ishte një akt terrorizmi, teksa një zyrtar amerikan i zbatimit të ligjit zbuloi se gruaja që ndihmoi bashkëshortin e saj të kryente sulmin i kishte premtuar besnikëri grupit të Shtetit Islamik dhe udhëheqësit të saj përmes një llogarie në Facebook me pseudonim.

David Bowdich, ndihmësdrejtori i zyrës së FBI-së në Los Angeles, nuk pritet të japë detaje të mëtejshme në lidhje me arsyen se përse Byroja arriti deri në këtë përcaktim, por në konferencën për shtyp të dhënë tha se “ka një sërë provash, që na kanë shtyrë në këtë konkluzion”.

Syed Farook dhe bashkëshortja e tij, Tashfeen Malik, vranë 14 persona në një festë për personat me aftësi të kufizuar, ndër të cilët kishte edhe kolegë pune të Farookut. Çifti mysliman ndërroi jetë pak orë më vonë, pas shkëmbimzjarrit me policinë.

Një zyrtar i Facebookut tha se Tashfeen Malik kishte lavdëruar kreun e grupit të Shtetit Islamik në një postim të së mërkurës, të orës 11 paradite, kur çifti besohet të ketë mësyrë qendrën e shërbimeve sociale në San Bernardino, ku edhe hapën zjarr. Zyrtari, në kushte anonimati për shkak të rregullores së koorporatës, shtoi më tej se kompania e rrjetit social më të famshëm në botë e zbuloi llogarinë e fshehtë të saj vetëm gjatë së enjtes, si dhe e hoqën menjëherë profilin në fjalë nga publiku, duke e raportuar atë te forcat ligjzbatuese.

Malik, 27 vjeç, ishte me origjinë pakistaneze, e cila u rrit në Arabinë Saudite dhe kishte udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara në vitin 2014 pas një vize bashkimi familjar si e fejuara e agresorit tjetër. Farook, 28-vjeçari që punonte si inspektor shëndetësie nëpër restorante në kantonin në fjalë, u lind në Chicago nga prindër pakistanezë dhe u rrit në Kaliforninë Jugore.

Top Channel