Refugjatët, OKB i bën presion BE-së

05/12/2015 00:00

Bashkimi Europian po merr paralajmërime të vazhdueshme nga Organizata e Kombeve të Bashkuara se duhet të veprojë më shpejtë për çështjen e refugjatëve.

Zyrtarë nga OKB thonë se teksa vendet e Europës Juglindore përballen me një detyrë të madhe për strehimin e azilantëve, duhet gjithashtu të marrin edhe përgjegjësinë për krijimin e krizës.

Raportuesja e posaçme e Organizatës për strehimin, Leilani Farha deklaroi se unioni duhet të veprojë sa më shpejtë që të shmangë problemin e diskriminimit social, teksa refugjatët vijojnë të jetojnë në kushte ekstremisht të varfra.

“Strehimi është një e drejtë njerëzore dhe jo një komoditet”, tha Farha. Por,  përgjegjësia e Bashkimit Europian nuk është kompakte, çështja e kuotave të refugjatëve ka krijuar ndasi. Vende të ndryshme kanë reaguar ndryshe për sistemin e shpërndarjes së tyre.
 
Disa ditë më parë ishte intervista e Presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk, që zgjoi debate. Ai bëri thirrje për një ndryshim në politikën e refugjatëve, çka sipas tij duhet të mbyllë dyert e Europës sa më shumë të jetë e mundur.

Teksa gjendja në Bruksel vijon të jetë e rënduar, për OKB, ishin pikërisht sulmet terroriste të Parisit që lëvizen ujërat dhe shtynë përfaqësuesit e shteteve të bien dakord për disa pika që diskutohen prej muajsh, si ajo e lëvizjes brenda zonës Schengen. Të premten Këshilli i Ministrave të Brendshëm të unionit, u pajtua me mundësinë e pezullimit të regjimit të lirë kufitar për një periudhë deri në 6 muaj.

Top Channel