Gjakovë, opozita nis protestat kundër dy marrëveshjeve

05/12/2015 00:00

Me qytetin e Gjakovës, partitë opozitare nisën këtë të shtunë manifestimet e paralajmëruara, që do të mbahen në të gjitha qytetet e mëdha të Kosovës, për të kundërshtuar kështu marrëveshjet për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe atë të demarkacionit me Malin e Zi.

Udhëheqësit opozitarë, Visar Ymeri i Vetëvendosjes, Ramush Haradinaj i AAK-së dhe Fatmir Limaj i “Nismës për Kosovën”, rikujtuan qytetarët se, sërish nga Gjakova nisi kërkesa për shkarkimin e ish-ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jablanoviç, e cila pas disa protestave u realizua.

Ata ritheksuan vendosmërinë e opozitës për kundërshtimin e atyre dy marrëveshjeve.

“I kundërshtojmë, sepse sot qytetarët janë të vetëdijshëm se këto marrëveshje po ua kundërshtojnë atyre republikën. Isa Mustava dhe Hashim Thaçi, këta kryepolicë të ‘Zajednicës’ e kanë humbur argumentin politik karshi nesh. Opozita e bashkuar e ka bërë të qartë: Republika nuk e pranon dhe as nuk e duron Zajednicën e Serbisë. Kosova nuk e pranon dhe as nuk e duron t’i falen troje Malit të Zi”, tha Visar Ymeri, kryetar i LVV.

“Janë po këta pushtetarë, që neve na kanë nxjerrë në rrugë, që na kanë detyruar të hedhim gaz në Parlament. Pra i keqi dhe i ligu janë bërë bashkë, ata po e marrin në qafë Kosovën. Ndaj ne kemi ardhur sot këtu, e prej Gjakovës t’u themi jo marrëveshjeve, jo Zajednicës, jo demarkacionit; por edhe për të dhënë një porosi: lironi sa më shpejt të burgosurit politikë”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

“Përcjellim mesazhin atyre që kanë mbyllur sytë e veshët se, Kosova nuk është më e përgjumur. Nga një Kosovë të përgjumur që e keni bërë ju, ne po e kthejmë në një Kosovë aktive, e cila po u thotë jo ‘Zajednicës’ dhe demarkacionit. Asgjë nuk do të na ndalë, e asgjë nuk do të na mbyllë gojën derisa të anulohen dy marrëveshjet e dëmshme për Kosovën”, tha Fatmir Limaj, kryetar i “Nisma për Kosovën”.

Qytetarëve të Gjakovës iu drejtuan edhe kryetarët e degëve të partive opozitare në këtë qytet, si dhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, të cilët kërkuan lirimin e deputetëve dhe aktivistëve të arrestuar.

Ndërsa sipas protestuesve, këto dy marrëveshje janë të papranueshme.

“Tashmë është folur shumë dhe është provuar, që të dy marrëveshjet janë të dëmshme, ndaj dhe qytetarët kanë dalë ta mbështesin opozitën, në këtë rast në kauzën e tyre të drejtë. Shpresoj që edhe pozita të ndërgjegjësohet dhe t’i vendosë frè avancimin e mëtejshëm të këtyre marrëveshjeve”, tha Xhevdet Sadriu, protestues.

“Këto janë dy marrëveshje, që realisht nuk do të duhej të ndodhnin dhe as qeveria t’i pranonte. E lëre më qytetari i Kosovës”, tha Saranda Hyseni, protestuese.

Për mbarëvajtjen e manifestimit opozitar në Gjakovë është kujdesur Policia e Kosovës dhe protesta ka përfunduar pa incidente.

Top Channel