Obama: Ngjarje si ajo e San Bernardinos nuk do të na terrorizojnë

05/12/2015 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara “nuk do të terrorizohen kurrsesi”, pavarësisht masakrës së të mërkurës në San Bernardino të Kalifornisë.

“Jemi ende të fortë dhe jemi tepër elastikë për ta rimarrë veten nga të tilla ngjarje”, tha ai në një adresim të përjavshëm përmes radios, duke shtuar se “ishte tërësisht e mundshme” që dy agresorët të ishin radikalizuar.

Syed Rizwan Farook, 28 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Tashfeen Malik, 27 vjeç, lanë të vrarë 14 persona përpara se të qëlloheshin për vdekje nga policia. Byroja Federale e Hetimit, që po heton të shtënat masive, njoftuan një ditë më parë se e konsiderojnë këtë ngjarje si “akt terrorist”.

Ndërkohë, këtë të shtunë, grupi i Shtetit Islamik ka marrë përsipër sulmin duke e lavdëruar atë, e duke thënë se ai ishte ndërmarrë nga “dy mbështetës të Shtetit Islamik në SHBA”.

Deklarata e bërë nga ISIS në radion “al-Bayan” nuk jepte asnjë detaj se grupi ishte përfshirë në planifikimin e të shtënave, të ndodhën në Qendrën Rajonale “Inland”, që fokusohej kryesisht në shërbime sociale.

“Ne e dimë se Shteti Islamik dhe grupe të tjera terroriste janë duke inkurajuar vazhdimisht njerëz anembanë botës, por edhe në vendin tonë, që të kryejnë akte të tilla të tmerrshme dhune. Shpesh herë ata veprojnë si aktorë të vetëm, e herë të tjera edhe të shoqëruar”, tha Obama.

“Të gjithë ne; përfshi qeverinë, forcat ligjzbatuese, komunitetet dhe krerët e besimeve fetare; duhet të punojmë së bashku për të parandaluar njerëz të tjerë që të bien viktima të idelogjive të tilla të urrejtjes”.

Farook, që punonte për departamentin lokal të shëndetësisë, si dhe Malik, hapën zjarr gjatë një eventi festiv që mbahej përpara Krishtlindjes, duke shkaktuar 14 të vdekur dhe 21 të tjerë të plagosur.

Oficerë të FBI-së po përpiqen të rikuperojnë sa më shumë të dhëna të munden nga telefonat e tyre celularë, të cilat u gjetën të shkatërruar në një kosh mbeturinash pranë vendngjarjes.

Top Channel