Azerbajxhan, zjarr në platformën e “SOCAR”; 32 viktima

05/12/2015 00:00

Një ngjarje e tmerrshme dhe tragjike është shënuar këtë të shtunë në brigjet e Detit Kaspik, ku 32 punonjës raportohen të kenë vdekur pas një zjarri të rënë në një platformë nafte të operuar nga kompania shtetërore energjetike e Azerbajxhanit, SOCAR.

Lajmi konfirmohet nga kreu i një komiteti të pavarur, ndërkohë që vet kompania SOCAR ka refuzuar të japë shpjegime, edhe pse është kontaktuar vazhdimisht nga agjenci të huaja mediatike.

“Sipas informacionit tonë, 32 punonjës kanë vdekur, ndërkohë që 42 të tjerë janë shpëtuar gjatë natës së mbrëmshme. Zjarri në platformë është shuar përfundimisht”, tha Mirvari Gakhramanly, kreu i Komitetit për mbrojtjen e të drejtave të punonjësve të naftës në Azerbajxhan.

SOCAR bëri të ditur gjatë së premtes se zjarri i rënë në platformën e fushës së naftës Guneshli të Azerbajxhanit kishte nisur pas dëmtimit të një tubacioni të gazit nga erërat e forta. Ndërkohë që edhe përpjekjet për kërkim-shpëtimin e punonjësve ishin rënduar ndjeshëm për shkak të stuhive të forta.

Një punonjës i SOCAR kishte telefonuar një korrespondent të “Reuters”, duke i bërë të ditur atij se ishin plot 84 punonjës të mbetur të bllokuar. Punonjësi në fjalë nuk u identifikua, ndërsa ende nuk dihet nëse deklarata e tij rezulton ende konkrete apo është e papërditësuar.

Përmes faqes në rrjetin social Facebook, SOCAR bëri të ditur të shtunën se 26 punonjës ishin shpëtuar nga platforma. Nuk u dha gjithsesi asnjë detaj tjetër nëse kishte të vdekur mes tyre, apo sesa njerëz ishin bllokuar në platformë.

Rreth 60 për qind e prodhimit të naftës nga SOCAR kalon përmes kësaj platforme që u përfshi nga zjarri, duke thënë se prodhimi i kompanisë pritet të goditet ndjeshëm të paktën përkohësisht.

Ky nuk është aksidenti i parë në punë që prej kompaninë azere SOCAR, pasi edhe në vitin 2014, në platformat e saj të naftës dhe gazit natyror janë shënuar 14 viktima.

Top Channel