Ndërron jetë legjenda e peshëngritjes, Mirjan Hakani

06/12/2015 09:55

Ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare Mirjan Hakani, një nga legjendat e peshëngritjes shqiptare. Ish-kampioni i Shqipërisë dhe protagonisti i dueleve të paharrueshme me një tjetër peshëngritës të madh, Aleksandër Kondon, vuante prej disa vitesh nga zemra.

Shumë qytetarë, mes tyre dhe figura të njohura të sportit, politikës dhe artit i kanë bërë homazhe trupit të pajetë të Hakanit në kompleksin Dinamo.

“Është një ditë zie për sportin pasi shuhet një legjendë, një emër i madh, por vepra e tij është shembull për të gjithë sportistët, jo vetëm për peshëngritësit”, tha Lindita Nikolla, ministre e Arsimit dhe Sportit.

Pas mbylljes së karrierës si sportist, Mirjan Hakani vazhdoi të japë kontributin e tij edhe si drejtues. Për shumë vite ai ka qenë drejtues i sportit në Bashkinë e Tiranës, për të kaluar më pas në Agjensinë e Shërbimit të Sporteve dhe më vonë si shef i klubit shumësportësh Partizani.

Mirjan Hakani mbante titullin “Mjeshtër i Madh”, i akorduar nga presidenti Alfred Moisiu në vitin 2006.

Top Channel