Rusi-Turqi, përplasje për “respekt”

06/12/2015 14:10

Përplasja mes Rusisë dhe Turqisë vjen prej një incidenti konkret, por psikologjia e betejës për secilin prej tyre buron që prej kohëve perandorake. Të dy janë vende që kërkojnë respekt. Kjo ka përcaktuar gjithmonë kursin e tyre, e sipas analistit Kersten Knipp, dëshira si e Moskës dhe e Ankarasë për imponim, do ta dëmtojë akoma më tej Lindjen e Mesme.

Shefi i Kremlinit, Vladimir Putin, dikur e përshkroi shpërbërjen e ish-Bashkimit Sovjetik si katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit XX. Viti 1991 ishte viti i kolapsit të imperializmit rus dhe shkëputjes së shteteve satelite. Që prej atëherë, Rusia ka qenë thjesht Rusi, jo më perandori. Dhe për Knipp, presidenti Putin ende ndjen dhimbjen imagjinare të gjymtyrës së amputuar. Të njëjtën dhimbje që ndjen e ndan edhe trashëgimtari i një tjetër ish-fuqie të madhe: kreu i shtetit turk, Rexhep Tajip Erdoan. Ajo çka vajton ai është edhe më e shtyrë në kohë, se shkon 100 vjet pas, atëherë kur Perandoria Osmane, një nga humbëset e Luftës së Parë Botërore, u rrudh nga shtetet fituese në një fraksion të përmasave të dikurshme.

Një komb që humbi madhështinë, por jo dëshirën për të qenë i rëndësishëm. “Ne motivohemi nga e njëjta frymë prej së cilës u krijua Perandoria Osmane”, do të deklaronte Erdoani në vitin 2012. A mos vallë e njëjta dhimbje fantazëm që shoqëron kryetarët e të dy këtyre shteteve është në fakt ajo që dikton edhe veprimet e tyre?

Rrëzimi i avionit rus në kufirin me Sirinë ndodhi në një sfond të ngarkuar tensionesh historike. Rusia dhe Turqia kanë qenë kryerivale dhe Irani, Afganistani, rajoni i Ballkanit e ai i Detit të Zi ishin trofeu për të cilin rusët dhe turqit janë përplasur egërsisht. Ne tani po shohim thjesht vazhdimin e një mendësie të kahershme, argumenton Knipp.

Rusia sot rreshtohet krah Iranit në kursin e një ekspansioni ushtarak, Turqia është në difensivë, e kërkon të ruajë të paktën kufijtë e vitit 1920, duke luftuar që të paktën kurdët te mos ia minojnë akoma më shumë trashëgiminë e tkurrur otomane me krijimin e shtetit të tyre që e dëshirojnë aq shumë. Për ekspertin, nuk është koincidencë që lufta jo e drejtpërdrejtë turko-ruse përqendrohet në rajonin e Bajirbuçakut në veriperëndim të Sirisë. Nga perspektiva e Turqisë së madhe, komuniteti turkmen që jeton atje përbën një urë lidhëse gjeostrategjike me Stambollin, ndërsa regjimi i Bashar al-Assadit kërkon të parandalojë me çdo kusht që kjo zonë të mbetet një sferë e rëndësishme influence e Ankarasë kur lufta civile në Siri të përfundojë.

Top Channel