Zbulohet dokumentacioni, FIFA pagoi Platini

06/12/2015 16:10

Lehtësohen disi gjërat për Michel Platini që është i pezulluar për 90 ditë për shkak të pagesës së marrë nga Blatter në vitin 2011 për 1.8 milionë Eurosh.

Media franceze ka publikuar një dokument të UEFA-s prej 23 faqesh të vitit 1998, sipas të cilit, disa prej anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të UEFA ishin në dijeni të një page prej 1 milionë frangash zvicerane të Platini.

Në këtë dokument theksohej se Platini ishte i përfshirë në fushatën elektorale të Blatter për president të FIFA, me këtë të fundit që kishte bërë të ditur në atë kohë se Platini do të ishte Drejtori Sportiv i FIFA. Në të njëjtën kohë, te ky dokument theksohej se Platini do të përfitonte një pagë prej 1 milionë frangash zvicerane nga Qeveria e futbollit botëror.

Pikërisht në këtë frazë të fundit do të bazohen edhe avokatët mbrojtës të Platini për të treguar se nuk kishte asgjë të paligjshme në kontratën që ai kishte nënshkruar me Blatter.

Vlen të kujtohet se drejtësia zvicerane po heton një pagesë të marrë nga Platini në 2011 nga Blatter si kompensim për mbështetjen që Platini ka bërë ndaj tij gjatë fushatës elektorale.

Top Channel