Skënderbeu, spektakolar ndaj Laçit; Kukësi fundos Vllazninë

06/12/2015 00:00

Skënderbeu shkatërroi 4-0 Laçin dhe e çon përkohësisht në 1 pikë diferencën me Partizanin kryesues, i cili të hënën do të luajë derbin ndaj Tiranës.

Kampionët e Josës dominuan lojën, krijuan raste dhe u mbrojtën shumë mirë përballë një skuadre, e cila pretendon të futet në Europë, por rrezikoi vetëm 1 herë gjatë 90 minutave portën e Shehit.

Olyainka dhe Salihi shënuan 2 herë gjatë pjesës së parë ndërkohë që në të dytën listës së golashënuesve iu bashkua edhe Bernard Berisha. Golin e fundit të mbrëmjes në Korçë e shënoi shkodrani Salihi, i cili ngjitet në kuotën e 13 golave këtë sezon.

Pas Flamurtarit, Kukësi i Klodian Duros mund po 1-0 edhe Vllazninë dhe vazhdon t’i qëndrojë afër Teutës së vendit të tretë. Ishte shkodrani Edon Hasani, ai që me golin e tij në pjesën e dytë vulosi fitoren e kuksianëve në derbin e Veriut. Tashmë skuadra e Duros ngjitet në kuotën e 26 pikëve, ndërsa Vllaznia vazhdon të mbetet në fundin e Superiores me 9 pikë.

Fitorja minimale 1-0 ndaj Flamurtarit e ka ngjitur Tërbunin 2 shkallë në klasifikim, ndërkohë që ka thelluar akoma më shumë krizën te skuadra vlonjate, e cila ka 9 ndeshje që nuk merr 3 pikë.

Protagonisti i triumfit të pukjanëve ishte Enco Malindi, i cili me golin e tij e bën akoma më interesante garën për mbijetesë, pasi tashmë kësaj liste i është shtuar edhe Flamurtari.

Top Channel