Serie A, Milani zhgënjen ndaj Carpi-t

06/12/2015 00:00

Sulmi i Milanit është shumë larg nga ai i kërkuar nga drejtuesit e kuqezinjve. Në ndeshjen e javës së 15 të Serie A Milani nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola ndaj Carpi-t, të ngjitur këtë sezon mes më të mirëve në futbollin italian.

Ndeshja nisi me një epërsi të lehtë të të besuarve të serbit Mihajlovic , por rastet në pjesën e parë ishin të pakta, madje pas minutës së 20 ishin vendasit e Carpi-t që kërkuan më shumë për të gjetur golin e avantazhit.

Edhe në 45 minutat e dyta, vendasit bënë një paraqitje të mirë ndaj një Milani pa ide në fazën sulmuese. Duhet të vinte minuta e 80 e ndeshjes që Bonaventura pas një inkursioni personal të fitonte një goditje dënimi në hyrjes të zonës, por ekzekutimi këtë herë ishte për t’u harruar.

Pesë minuta para përfundimit të ndeshjes ishte edhe mundësia më e mirë për Milanin për të kaluar në avantazh, por tre goditje të një pas njëshme drejt portës këtë herë u pritën nga portieri i vendasve.

Nga ky takimit, Milani duket se ka humbur 2 pikë, të paktën sipas fjalëve të Mihajlovic, i cili ishte shprehur haptazi për fitore në këtë takim. Pas kësaj ndeshje, kuqezinjtë mbajnë vendin e tetë në renditje, 9 pikë larg nga Interi kryesues.

Top Channel