Siria reagon për sulmet: Amerikanët vranë 3 ushtarë të Assadit

07/12/2015 11:35

Qeveria siriane ka dalë me akuzën se një sulm ajror, i koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara ndaj një kampi ushtarak, u ka kushtuar jetën 3 ushtarëve të regjimit.

Raketat e avionëve të aleatëve thuhet të jenë lëshuar drejt shënjestrës së ndodhur në provincën Deir al Zour, që në pjesën më të madhe të saj kontrollohet nga xhihadistët e Shtetit Islamik.

Por, Ministria e Jashtme siriane e dënoi ashpër atë, që në deklaratën e saj përshkruhej si “një akt flagrant agresioni, i cili shkel hapur objektivat e kartës së OKB-së” e i kërkoi Këshillit të Sigurimit të marrë masa urgjente për parandalimin e përsëritjes së incidenteve të tilla në të ardhmen.

Fushata e bombardimeve të Perëndimit kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri ka nisur që shtatorin e 2014-s, por veprimet e tyre, anëtarët e koalicionit nuk i koordinojnë me autoritetet në Damask.

Javën që shkoi, Britania vendosi t’u bashkohet sulmeve ajrore në këtë vend, duke e zgjeruar kështu fushatën e vet ekzistuese të bombardimeve kundër ISIS-it, që deri më tani ishte përqëndruar vetëm në Irak.

Ministria e Jashtme siriane këmbëngul se, 4 avionë luftarakë të koalicionit lëshuan mbrëmjen e së dielës 9 raketa drejt kampit të Deir al Zourit, duke vrarë 3 ushtarë sirianë e duke plagosur 13 të tjerë. Ajo madje shton se, nga i njëjti sulm u shkatërruan gjithashtu 3 autoblinda, 4 automjete ushtarake dhe një depo armësh e municionesh.

Zyrtarët nuk sqaruan se për cilin kamp bëhet fjalë saktësisht, por Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi më herët se bomba të avionëve të koalicionit kishin goditur pjesërisht kampin e Saeqas, të ndodhur pranë qytetit Ayyash të provincës perëndimore.

Grupi monitorues me seli në Londër e vendos në 4 bilancin e vdekjeve. Zëdhënësi i koalicionit ndërkombëtar, koloneli Steve Warren mohoi të ketë pasur ndonjë sulm ajror në atë zonë, e thotë se, të vetmet bombardime të aleatëve në Deir al Zour janë ndërmarrë rreth 55 km larg vendit, ku thuhet të kenë humbur jetën ushtarët sirianë.

Top Channel