Kosovë, krerët e opozitës tek Jahjaga: 3 rrugë për daljen nga kriza

07/12/2015 12:45

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka pritur këtë të hënë në një takim liderët e partive të opozitës, për të diskutuar daljen nga kriza politike që ka përfshirë vendin.

Takimi është zhvilluar me ftesë të presidentes, pas takimeve që krerët e Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës zhvilluan ditët e fundit me kryetarin e Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

Por edhe në këtë takim, opozita e bashkuar ka ripërsëritur qëndrimin e saj, duke i dorëzuar kryetares së shtetit kërkesat e tyre për anulimin e marrëveshjeve me Serbinë dhe lirimin e deputetëve të opozitës, të arrestuar muajin e kaluar.

Duke dalë nga Presidenca, kryetari i AAK-së, Haradinaj ka deklaruar se, qeveria e Kosovës ka përpara 3 rrugë për të dalë nga kjo situatë.

“Anulimin e marrëveshjeve me Serbinë. Nëse kjo nuk bëhet, t’i hedhë ato për referendum dhe nëse as kjo nuk bëhet, atëherë Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Haradinaj.

Nga ana e saj, presidentja Jahjaga nuk ka bërë asnjë deklaratë për mediat. 

Top Channel