Kontrolli doganor, serbët e veriut bllokojnë kufirin në Jarinjë

07/12/2015 00:00

Vendimi i Doganave të Kosovës, sipas të cilit nga tani e tutje mallrat që hyjnë nga Serbia të vlerësohen nga doganierët e Prishtinës, ka mobilizuar serbët e veriut, të cilët në shenjë proteste kanë bllokuar të hënën për 40 minuta pikëkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci ka konfirmuar përmes telefonit për Top Channel se, prej dy javësh kanë vendosur që, mallrat që hyjnë në pikëkalimin e Jarinjës të vlerësohen nga qendra e Doganës në Prishtinë.

Ai tha se ky vendim nuk paraqet ndonjë ndryshim në normat doganore, por është thjesht procedurë e brendshme e doganës dhe aplikohet njësoj në të gjitha pikat kufitare.

Mësohet se, arsyeja pse serbët kanë bllokuar pikën kufitare është se, deri më tani, mallrat e tyre që janë futur në Kosovë janë vlerësuar me norma joreale nga doganierët serbë në kufiri Kosovë-Serbi.

Po ashtu, burime brenda Policisë së Kosovës kanë treguar se, tashmë në stinën e dimrit, bllokimi i rrugëve alternative nga ku kalojnë gjatë verës shumë mallra, pa u futur fare në doganë, ka ndikuar në bizneset serbe të veriut, të cilat janë mobilizuar për një protestë që kanë thënë se do ta vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme.

Top Channel