Pjesëtarët e grupit të armatosur që akuzohen se kanë sulmuar policinë maqedonase më 9 dhe 10 maj në Lagjen e Trimave në Kumanovë kanë thënë se ndjehen të pafajshëm dhe kanë kundërshtuar akuzën për terrorizëm.

Në seancën e parë gjyqësore për vlerësimin e aktpadisë, 29 të akuzuarit kanë kërkuar që rastin kundër tyre ta shqyrtojë Prokuroria Speciale në Maqedoni, por këtë kërkesë nuk e ka pranuar Këshilli gjyqësor.

Pala mbrojtëse ka deklaruar se të akuzuarit janë rrahur dhe keqtrajtuar gjatë kohës sa janë marrë në pyetje. Avokatët thonë se procedura hetimore ende nuk ka përfunduar. Sipas tyre të akuzuarit për 7 muaj me radhë nuk kanë pasur qasje tek dëshmitë.

Nga ana tjetër, prokuroria vlerëson se 29 të akuzuarit në rastin e Kumanovës, që nga fillimi i këtij viti ishin organizuar për sulme terroriste në Maqedoni, me qëllim që të shkaktojnë pasiguri dhe frikë tek qytetarët.
 
Sipas aktakuzës, disa nga të akuzuarit kanë marrë pjesë edhe në sulmin ndaj stacionit policor në fshatin Gushincë më 21 prill të vitit 2015, prej ku kanë marrë një sasi të madhe armësh.

Më tej, në aktakuzë thuhet se gjatë aksionit për arrestimin e tyre më 9 maj në Kumanovë, pjesëtarët e grupit të armatosur kanë hedhur një granatë dorë në drejtim të forcave të policisë, duke lënë të lënduar disa prej tyre .

Gjatë përleshjeve që u zhvilluan më 9 dhe 10 maj në Kumanovës, humbën jetën 18 persona, 10 pjesëtarë të grupit të armatosur dhe 8 policë, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën.

29 të akuzuarit për rastin e Kumanovës, në seancën e së hënës, u sollën nën përcjelljen e forcave të shumta të policisë. Dhjetëra familjarë të tyre nuk u lejuan të hyjnë në sallë për të ndjekur seancën. Pjesëtarët e policisë penguan edhe ambasadorin e Kosovës, Ylber Hysa që të hyjë në Gjykatë.

Top Channel