Kosova, prej 3 ditësh nën vellon e një mjegulle të dendur. Incidente të shumta

07/12/2015 00:00

Mjegulla e dendur që ka mbuluar Kosovën në tri ditët e fundit, po vazhdon të shkaktojë probleme në transportin rrugor.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, si pasojë e saj, në dy ditët e fundit është shtuar dukshëm numri i aksidenteve në trafikun rrugor.

Në zyrën për informim të Policisë kanë treguar se, për dy ditë, mbi 100 aksidente janë shënuar në të gjithë vendin, ndërsa mjegulla vetëm sa është shtuar të hënën pasdite.

Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët, që të shtojnë kujdesin gjatë udhëtimeve, pasi nga mjegulla e dendur dhe lagështia në rrugë mund të pësojnë shumë shpejt aksidente.

Si pasojë e mjegullës së madhe, edhe në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, ditët e fundit ka pasur anulime të fluturimeve.

Driton Hysenaj, koordinator i fluturimeve tha përmes telefonit për Top Cahnnel se, të hënën pasdite janë detyruar të anulohen tri fluturime, një fluturim prej Vjenës, njëri prej Zyrihut dhe i fundit nga Brukseli.

Meteorologët kanë parashikuar edhe për ditët e ardhshme dendësi të mjegullës.

Top Channel