Venezuelë, opozita triumfatore premton forcim ekonomik dhe lirimin e të burgosurve politikë

07/12/2015 00:00

Opozita venezueliane është angazhuar këtë të hënë të rigjallërojë ekonominë problematike të kombit anëtar të OPEC-ut, si dhe të lirojë aktivistët politikë të burgosur, pasi siguruan kontrollin e legjislativit për herë të parë në 16 vitet e fundit, duke mposhtur regjimin socialist në vend.

Pasditen e së hënës nuk ishin konfirmuar ende disa prej rezultateve zgjedhore, por koalicioni për Unitetin Demokratik duket se ka fituar mazhorancën e nevojshme për të qeverisur në Asamblenë Kombëtare prej 167 vendesh.

Kreu i opozitës tha se shifrat përfundimtare tregojnë se ata kanë arritur nivelin deciziv të 2/3-tave në legjislativ, edhe pse nga bordi zgjedhor ende nuk është konfirmuar diçka e tillë, duke qenë se ka edhe 22 vende të tjera për t’u shpallur zyrtarisht se cilit krah i përkasin.

Nëse opozita do të mbërrijë në 2/3-tat e vendeve, apo të paktën 112 deputetë në Asamble, atëherë ajo do të mund të tregojë “muskujt” kundër Presidentit Nicolas Maduro, duke riformatuar institucione të tilla si gjykatat dhe bordin zgjedhor, të cilat konsiderohen gjerësisht nga venezuelianët si proqeveritare.

53-vjeçarit Maduro, i cili u përzgjodh nga Chavezi si pasuesi ideal i tij, duket se i mungon karizma e ish-presidentit të Venezuelës, por edhe dredhia e një politikani, e kjo u pa edhe me pranimin shumë shpejt prej tij të humbjes së këtyre zgjedhjeve, kur mbajti një fjalim përpara kombit në orët e para të së hënës, me anë të së cilës qetësoi edhe ata që ishin të frikësuar për akte të dhunshme në një vend të goditur prej një kohe të gjatë nga rivaliteti politik.

Pasi siguruan kontrollin e Asamblesë nga lëvizja “Chaviste”, siç quhej lëvizja e drejtuar nga ish-presidenti socialist Hugo Chavez, opozita nisi menjëherë të përcaktojë prioritetet e saj.

“Kjo është një mundësi e madhe për ne dhe vjen pas një vote proteste”, tha kreu i opozitës, Henrique Capriles, pas fitores që duket se ka ardhur kryesisht prej votuesve që kanë dënuar socialistët për krizën e thellë ekonomike dhe sociale të Venezuelës.

Kreu i koalicionit, Jesus Torrealba tha se, opozita duhet të modifikojë shumë shpejt ligjin për Bankën Qendrore, në përpjekje për të reduktuar shtypjen e parave të reja, që ka çuar vendin drejt inflacionit më të lartë në të gjithë botën.

Edhe pse nuk do ta ketë pushtetin për të rindërtuar radikalisht ekonominë e vendit përmes legjislativit, opozita premton gjithashtu ligje të reja për të stimuluar sektorin privat dhe për të rishikuar të gjitha proceset shtetëzuese. Opozita do të përpiqet të kalojë gjithashtu një ligj amnistues për të gjithë kundërshtarët e burgosur të Maduros, kur Asambleja e re të fillojë nga puna më 5 janar.

Politikani më i njohur venezuelian i burgosur është Leopoldo Lopez, i cili është dënuar me afro 14 vite burgim, pas akuzave për promovim të dhunës në vitin 2014, akte të cilat lanë të vdekur 43 persona. Por opozita ka një listë të gjatë të burgosurish politikë, të përbërë nga 70 persona.

Shtetet e Bashkuara, që kanë pasur një marrëdhënie tepër therëse me Venezuelën, qoftë nën drejtimin e Chavezit ashtu dhe nën drejtimin e Maduros, kanë akuzuar prej kohësh socialistët për bashkëpunim në trafikun e drogës dhe abuzime me të drejtat e njeriut.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry tha se votat treguan “dëshirën mbizotëruese” të venezuelianëve për ndryshim, si dhe bëri thirrje për dialog mes partive politike për të zgjidhur problemet e vendit.

Top Channel