Vrasja e 3 ushtarëve sirianë, SHBA-të fajësojnë Rusinë

07/12/2015 00:00

Siria akuzoi këtë të hënë koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bombardimin e një kampi ushtarak në pjesën lindore të vendit, duke lënë të vdekur 3 ushtarë sirianë dhe duke plagosur 13 të tjerë, por një zyrtar i lartë amerikan bëri të ditur se, Pentagoni është “i bindur” se sulmi ka ardhur nga një avion luftarak rus.

Mosmarrëveshjet në lidhje me sulmin ajror vdekjeprurës nënvizojnë edhe njëherë kaosin gjithnjë e në rritje në qiejt e Sirisë, ku fuqi të ndryshme botërore kanë nisur të godasin objektiva të ndara të konsideruara të Shtetit Islamik në vendin e shkatërruar nga lufta.

Në një letër të dërguar Kombeve të Bashkuara dhe të publikuar nga media shtetërore siriane, qeveria e Damaskut ka bërë të ditur se 4 avionë nga koalicioni perëndimor kishin goditur kampin ushtarak sirian në qytetin lindor të Deir el-Zour, gjatë natës së të dielës. Veç viktimave të shkaktuar mes ushtarakëve, në letër thuhet se sulmi shkatërroi edhe mjete të blinduara e depo të magazinimit të armatimeve.

“Ky sulm vështirëson përpjekjet për të luftuar terrorizmin dhe provon edhe njëherë se këtij koalicioni i mungon serioziteti dhe besueshmëria në lidhje me efektivitetin e luftës kundër terrorizmit”, thuhet në letrën e Sirisë. Qeveria e Damaskut u referohet të gjithë atyre që luftojnë për rrëzimin e Presidentit Bashar al-Assad si “terroristë”.

Nëse pretendimet e Sirisë do të konfirmoheshin, kjo do të ishte hera e parë që koalicioni i udhëhequr nga SHBA-të të ketë goditur trupat besnike të Assadit. Megjithatë, SHBA-të e mohuan këtë akuzë, duke thënë se 4 sulmet ajrore të aleancës në provincën lindore të Deir el-Zourit goditën të gjitha rafineritë e naftës, rreth 55 km në juglindje të Ayyashit.

“Ne nuk kemi goditur ndonjë mjet të blindur apo objektiva personeli ushtarak në këtë zonë. Nuk kemi ende asnjë të dhënë, nëse ndonjë ushtar sirian ka qenë pranë objektivave të shënjestrës sonë”, u tha në një deklaratë të koalicionit, duke shtuar se pavarësisht kësaj, pretendimet për dëme të mundshme anësore merren gjithnjë seriozisht dhe hetohen deri në fund.

Për më tepër, një zyrtar ushtarak amerikan tha se Uashingtoni ishte “i sigurt” që ai sulm mbi kampin ushtarak u krye nga avionë rusë. Zyrtari foli në kushte anonimati, pasi nuk mund të diskutonte mbi këtë çështje publikisht. Deri më tani mungon një reagim apo koment nga ana e Ministrisë ruse të Mbrojtjes. Por, Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, një organ mbikëqyrës i luftës civile në Siri me seli në Londër, raportoi të njëjtat sulme me të njëjtët numër viktimash, duke shtuar se sulmet “besohen” të kenë qenë nga koalicioni i udhëhequr nga amerikanët.

Top Channel