Azilkërkuesit në Europë, Gjermania pret 1 milion refugjatë

08/12/2015 00:00

Gjermania ka regjistruar 964,574 azilkërkues gjatë 11 muajve të 2015-s, çka sugjeron se deri në fund të vitit numri i azilkërkuesve do ta kalojë 1 milionëshin. Deri më tani numri i të ardhurve është 4 herë më i lartë se sa totali i 2014-s.

Të dhënat për muajin nëntor nuk ofrojnë informacione lidhur me kombësinë, por në muajt paraardhës sirianët, për të cilët Gjermania ka aplikuar politikën e dyerve të hapura, përbënin grupin më të madh.

Numri i të ardhurve nuk ka rënë pavarësisht stinës së ftohtë të dimrit, me një rekord të ri prej 206 personash, 101 prej të cilëve në nëntor. Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha në muajin gusht se, vendi pret një total prej 800 mijë azilkërkuesish gjatë këtij viti. Por nga dokumenta të rezervuara, të zbuluara në tetor nga gazeta gjermane “Bild”, u mësua se qeveria parashikonte ardhjen e rreth 1.5 milionë refugjatëve… Gjermania ka regjistruar më shumë azilkërkues se çdo vend tjetër në Europë, edhe pse ata përbëjnë vetëm 1 përqind të popullsisë së saj.

Gjithsesi, azilkërkuesit jo gjithmonë pranohen në vendet e unionit dhe përqindja e të pranuarve varion nga shteti në shtet. Më pak se 10 përqind e aplikantëve në Hungari siguruan një vendim pozitiv.

Në Gjermani azilkërkuesit që janë pranuar janë 42 përqind, ndërsa në Suedi, vend me numrin më të madh të aplikimeve krahasuar me numrin e popullsisë, janë 77 përqind. Në të gjithë Bashkimin Europian vetëm 45 përqind e azilkërkueseve janë pranuar.

Ndërkohë, Agjencia e OKB për refugjatët tha se numri i atyre që kanë kaluar Mesdheun me destinacion Europën ra me më shumë se 1/3 në nëntor, për shkak të motit të keq dhe gjithashtu përpjekjeve më të mëdha të Turqisë për të luftuar trafikantët.

Në muajin nëntor rreth 140 mijë emigrantë dhe refugjatë zhvilluan udhëtimin e rrezikshëm në Mesdhe për të arritur në Europë, çka shënoi një rënie me 36.5 përqind krahasuar me muajin tetor kur një numër rekord prej 220 535 personash mbërritën në brigjet e Kontinentit të Vjetër.

Top Channel