Kampionati i NBA, San Antonio “shkrin” Filadefian

08/12/2015 00:00

San Antonio Spurs e ka shumë të lehtë ndeshjen e tij të radhës në NBA. Skuadra teksane u shfaq e pamëshirshme ndaj Filadelfia 76ers teksa e shkatërroi atë me rezultatin 119-68 duke i shkaktuar kësaj të fundit humbjen e 21 në 22 ndeshje.

Ndeshja në Wells Fargo Center nuk pati histori me San Antonion që e dominoi atë nga fillimi deri në fund ku ai që spikati ishte Aldridge me 26 pikë dhe 9 topa në tabelë. Me këtë sukses bilanci i San Antonio Spurs shkon në 18 fitore dhe vetëm 4 humbje që i jep mundësinë kësaj skuadre të forcojë vendin e dytë në Konferencën e Perëndit pas Golden State që është e paarritshme.

Miami Heat mundet në American Airlines Arena nga Uashington me rezultatin 103-114. Uizards e siguruan këtë sukses falë paraqitjeve të mira në periodën e parë dhe të katërt ku krijuan edhe diferencën e mjaftueshme të pikëve për të arkivuar fitoren e  9 sezonale.

Uoll me 26 pikë dhe Porter Jr me 14 topa në tabelë i dhanë këtë sukses Uashington duke zhvlerësuar paraqitjen e Duejn Uejd që e mbylli ndeshjen me 26 pikë, ndërkohë që Bosh rrëmbeu 9 topa në tabelë.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Chicago u dorëzua përballë Phoenix pasi u mposh 101-103, Lakers pësoi një tjetër disfatë, këtë radhë ndaj Torontos 93-102, Dallas mundi Nju Jorkun 104–97, ndërsa LA Clippers fitoi me Minnesotën 110-106.

Top Channel