LeBron James dhe “Nike”, një  “martesë” e përjetshme

08/12/2015 00:00

Ylli i basketbollit amerikan LeBron James dhe kompania e veshjeve sportive “Nike” i qëndojne besnik njëri-tjetrit duke nënshkruar një kontratë bashkëpunimi të përjetshme mes tyre, diçka që ndodh për herë të parë në historinë e “Nike”.

Nuk dihen detajet financiare të kësaj kontrate të re, por sipas asaj që publikohet në media, mësohet se shifra që do të sigurojë James do të jetë më e lartë se ajo prej 300 milionë dollarësh që përfiton Kevin Durant me kontratën e tij 10-vjeçare po me “Nike”.

LeBron James është shpallur 4 herë MVP i NBA dhe ka fituar 2 medalje të arta olimpike me SHBA-të. Ai luajti për Cleveland nga 2003-2010 për të luajtur 4 sezone me Miami Heat. Në vitin 2014, basketbollisti 31-vjeçar u rikthye te ish-skuadra e tij Cavaliers.

“Ishte diçka e pabesueshme për mua dhe familjen time. I jam shumë mirënjohës ‘Nike’ dhe themeluesit të tij, Phil Knight për besimin e shprehur te një djalë 18-vjeçar të dobët fizikisht dhe unë jam shumë i lumtur që bashkëpunoj me një kompani të tillë”, tha James.

Bashkëpunimi i James me “Nike” shkon përtej aspektit sportiv. Së bashku me këtë kompani të veshjeve sportive, ylli i Cleveland ka krijuar edhe linjën e tij të atleteve.

Marrëdhënia e James me botën e marketingut nuk kufizohet këtu. Basketbollisti ka kontrata edhe me kompani të tilla si McDonalds, Coca Cola apo dhe Samsung.

Top Channel