Veseli mirëpret analizat e Akademisë së Shkencave për zgjidhjen e krizës

08/12/2015 00:00

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami ka porositur të gjitha palët, që t’i zgjidhin problemet me qetësi dhe dialog.

“Natyrisht që nuk jemi indiferentë ndaj gjithë kësaj që po ndodh sot. Jemi pjesë e saj edhe ne, por janë institucionet ato që duhet t’i zgjithin problemet brenda institucioneve, pa dhunë, me qetësi dhe me dialog mes të gjitha palëve”, tha Hivzi Islami, kryetar i ASHAK.

Këto komente, Akademiku Islami i bëri pas një takimi pothuajse dyorësh me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili tha se analizat shkencore lidhur me tejkalimin e situatës janë të mirëpritura.

“Në aspektin e situatave dhe aktualiteteve tona politike, Akademia është e mirëpritur me çdo analizë shkencore, të cilën e zhvillon për mënyrën e tejkalimit të situatave. Kjo për arsye se, të gjithë ne, në radhë të parë jemi qytetarë të këtij vendi dhe të gjithë bashkërisht, qoftë Akademia, pozita apo opozita dhe deri te punëtori në bujqësi, e duam vendin tonë”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Në këtë takim ishte edhe minsitri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami.

“Kosova po kalon në një tranzicion dhe këtu, mendimi i shkencës dhe i shkencëtarëve, që kanë dhënë edhe kontribut në shtetndërtim, do të mund të ndihmonte në qetësimin e situatës politike dhe në tejkalimin e problemeve aktuale që kemi”, tha Arsim Bajrami, ministër i MASHT.

Vizita e kryeparlamentarit Veseli në Akademinë e Shkencave vjen pak ditë para shënimit të 40-vjetorit të themelimit të saj, e me këtë rast u vlerësua si një institucion me rol historik në shtetndërtimin e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli bëri të ditur gjithashtu se, së shpejti do të miratohet edhe projektligji për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, për të cilin – siç tha ai, – Kuvendi do të kalojë vetëm propozimin e akademikëve. Kryeparlamentari Veseli theksoi se, punët e Akademisë së Shkencave dhe Arteve duhet të jenë apolitike, duke shprehur përkrahjen e plotë të Kuvendit për këtë institucion shkencor.

Top Channel