Rezolutat; kritika Kosovës, rekomandim pozitiv për Serbinë

08/12/2015 00:00

Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Europian diskutoi mbi projektrezolutat për Kosovën dhe Serbinë, pas publikimit të raporteve të progresit nga Komisioni.

Teksti për Kosovën, përpiluar nga zëvendëspresidentja Ulrike Lunaçek, vëren vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të ngrirë përkohësisht aktet ligjore të Asociacionit të komunave serbe dhe bën thirrje ndaj forcave politike, që të shfrytëzojnë këtë pezullim për dialogun parlamentar dhe për të vepruar me konstruktivitet në interes të vendit.

Ulrike Lunaçek: Në raport theksoj se, çdo akt dhune përmes gazit lotsjellës, sprajtit djegës, apo hedhjes së vezëve brenda Kuvendit është tërësisht i papranueshëm. Mirëpres nismën për daljen nga kriza të dy përfaqësuesve të qeverisë dhe opozitës. Kosova është i vetmi vend në Europë, ku qytetarët nuk përfitojnë nga lëvizja e lirë në “Schengen”, ndaj shpresoj – por nuk jam e sigurtë, – që javën tjetër Komisioni Europian të rekomandojë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës ndaj Këshillit.

Përfaqësuesja e Komisionit nuk dha siguri për një rekomandim të tillë, me justifikimin se mbeten edhe 9 kritere të paplotësuara nga vendi për udhërrëfyesin e vizave. Por, ajo shprehu gatishmërinë e ekzekutivit europian për të propozuar, në mes të dhjetorit, çeljen e negociatave të anëtarësimit me Serbinë për disa kapituj.

Fillimisht do të nisin bisedimet për kapitujt 32 e 35, që kanë të bëjnë përkatësisht me kontrollin e financave publike dhe marrëdhëniet me Kosovën, ndërsa për kapitujt 23 dhe 24, që lidhen me drejtësinë, sigurinë dhe të drejtat themelore, KE propozon “brenda 6-mujorit të parë të 2016-s”.

“Beogradi feston pas një jave”, u shpreh i kënaqur me komentet e Komisionit, raportuesi për Serbinë, David McAllister.

Diskutimet për Kosovën në Komitetin e Jashtëm zgjatën sa 1/4-ta e debatit mbi Serbinë, megjithëse të dy vendet njohin sfida të ngjashme për “normalizimin e marrëdhënieve”, për luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar, për pavarësinë e medias, të gjyqësorit dhe të administratës publike, mbi papunësinë, mbi reformat ekonomiko-sociale dhe në respektimin e të drejtave themelore, sidomos për minoritetet dhe grupet vulnerabël të shoqërisë.

E veçanta për Serbinë qëndron te rekomandimi pozitiv i Komisionit, ndërkohë që Kosova nuk ka ende një kod telefonik dhe duhet të rehabilitojë të gjithë sistemin e energjisë elektrike. Në rastin e Beogradit përmendet përballja me refugjatët, kurse për Prishtinën fluksi i azilkërkuesve.

Ivo Vajgl, eurodeputet slloven, liberal: Vendi me perspektivë europiane është kampion për emigracionin e njerëzve, që kërkojnë azil në Europën Perëndimore. Në anën tjetër, autoritetet serbe e ekzagjerojnë me ndjeshmëritë e tyre për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, e mendoj se ishte e panevojshme.

Raportuesja për Kosovën kritikoi përçarjen e BE-së gjatë votimit për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe përsëriti thirrjen për njohjen e pavarësisë nga  5 vendet anëtare të BE-së, ndërsa kujtoi se, për të hyrë në fuqi, MSA-ja mbetet ende për t’u ratifikuar nga Parlamenti Europian.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel