Veseli: Seanca e radhës e Kuvendit, më 14 dhjetor

08/12/2015 00:00

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që seanca e radhës plenare të mbahet të hënën, më 14 dhjetor, ku do të jenë 25 pika të rendit të ditës përfshi projektligjin për buxhetin e vitit 2016, ndërsa më 17 dhjetor, në orën 11:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, do të mbajë fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit.

Kjo u bë e ditur nga kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili pas mbledhjes së kryesisë, pasditen e së martës, ka ftuar opozitën të marrë pjesë në këtë seancë.

“Do të dëshiroja ta shfrytëzoja këtë moment për t’i bërë një ftesë serioze opozitës, që të vijë e të marrë pjesë në seancë. Në asnjë moment, qëllimi im si kryetar i Kuvendit, por as i kësaj Kryesie, nuk ka qenë dhe nuk është që të përjashtohet dikush nga opozita. Edhe vet e keni vënë re se, çdo herë jam munduar t’u bëj thirrje që të marrin pjesë në seancë, të mos vetëpërjashtohen, të mos inkriminohen për arsye se, për ne si deputetë kolegë nuk është një ndjenjë e mirë, teksa aktualisht janë 7 deputetë që ballafaqohen me probleme gjyqësore”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Kryeparlamentari Veseli bëri të ditur se, nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Aida Dërguti ishte sërish kundër mbajtjes së seancës plenare. Ai shtoi se, vazhdimi i seancave është kërkuar edhe nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

“I kemi sqaruar ata, pasi edhe unë jam takuar me presidenten. Jam interesuar pikërisht për këtë çështje, pas nismës së saj për nisjen e dialogut mes krerëve të pozitës dhe opozitës dhe nga presidentja është thënë vendosmërisht se seancat plenare duhet të vazhdojnë”, tha Kadri Veseli.

Teksa komentoi për deputetët e arrestuar, kryeparlamentari Veseli theksoi se askush nuk është mbi ligjin, duke përgëzuar organet e rendit dhe drejtësisë për punën e tyre. Ai shtoi se, të gjitha çështjet mund të tejkalohen në qoftë se ka vullnet dhe – sipas tij, – duhet të ketë zgjidhje politike që Kuvendi të shndërrohet në një vend respekti institucional.

Top Channel