Gorazhdeci, situatë e qetë e fshatit pas sulmit të fundit

08/12/2015 00:00

Banorët serbë të fshatit Gorazhdec të Pejës nuk ndajnë të njëjtin mendim me politikanët serbë, brenda dhe jashtë Kosovës, lidhur me sulmin që ndodhi pas mesnatës së të dielës në fshatin e tyre, ku u sulmua një shtëpi, u dogj një makinë dhe u dëmtua një përmendore.

Zorana Portiç-Petroviç ka treguar për Top Channel se, në kohën kur u sulmua shtëpia e saj, ajo ishte në gjumë bashkë me vajzën e vogël dhe se nuk dinte si të reagonte në atë moment.

Pasi pushuan të shtënat e armëve, zonja Petroviç tha se ka telefonuar Policinë e Kosovës, e cila ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

“T’u them të drejtën, ky rast u drejtohet të gjithë banorëve këtu dhe uroj që të mos përsëritet më në këtë rajon. Nuk mund të them se çfarë kombësie kanë pasur sulmuesit, shqiptarë apo serbë, pasi me këtë po merret policia tani. Ne jetojmë këtu prej kohësh dhe asnjëherë nuk kemi pasur probleme me shqiptarët. Bashkëshorti im punon në kabinetin e Presidentes së Kosovës, këtu kemi edhe shoqëri të mirë me shqiptarët, organizojmë aktivitete bashkë, pasi kam dhe një organizatë joqeveritare e merremi me muzikë”, tha Zorana Portiç-Petroviç, banore e Gorazhdecit.

Pranë shtëpisë së Zoranës, natën e sulmit është djegur edhe një makinë në oborr, e cila të martën është marrë për ekspertizë nga institucionet e sigurisë.

Rreth 200 metra përtej shtëpisë së Zoranës ndodhet qendra e fshatit Gorazhdec, ku të martën, banorët vazhdonin normalisht punët e tyre.

Danilo Sih, një banor rreth të 35-tave, i cili ka një kioskë në qendër të fshatit, thotë se pas sulmeve të fundit në fshat popullata është frikësuar, por – sipas tij, – mbetet që Policia të hetojë dhe të gjejë agresorët.

“Sa u përket marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, gjithçka është në rregull. Shpesh shkoj në qytet me autobus dhe gjithçka funksionon pa problem. Por, kohë pas kohe ndodhin gjëra të tilla dhe nuk e dimë kush janë shkaktarët. Por e rëndësishme është që nuk ka pasur viktima dhe dashtë Zoti të mos ndodhin më ngjarje të tilla”, tha Danilo Sih, banor i fshatit Gorazhdec.

Pak metra larg qendrës së fshatit, te përmendorja e disa serbëve të vrarë gjatë luftës së fundit, e cila u dëmtua të dielën, disa pjesëtarë të KFOR-it dolën në vendngjarje për të parë nga afër dëmtimet që ajo ka pësuar.

Policia në rajonin e Pejës ka ndërmarrë masa shtesë dhe është duke punuar në zbardhjen e rastit të sulmit në Gorazhdec.

Zëdhënësi Xhevat Ibra tha për Top Channel se, deklarimet e politikanëve serbë për sulme ndëretnike janë të pavërteta pasi – sipas tij, – gjendja në Gorazhdec ka qenë vazhdimisht e qetë dhe banorët bashkëpunojnë mjaft mirë me organet e rendit, ndaj shpresojnë që ngjarjen ta zbardhin sa më parë.

“Ky rast konsiderohet si i izoluar dhe gjendja momentale në fshat është e qetë. Siguria e popullsisë është e plotë. Nuk ka nevojë të shqetësohet askush”, tha Xhevat Ibra, zëdhënës i Policisë, Pejë.

Ibra tha se Policia ka shtuar masat e sigurisë në Gorazhdec dhe po aplikon një plan të posaçëm sigurie. Kjo vërehej edhe në qendër të fshatit, te nënstacioni policor që ndan zyrën e Gjendjes Civile të Kosovës me atë paralele ilegale të Serbisë, e cila funksionon pa u penguar nga askush, madje as nga Qeveria e Kosovës.

Top Channel