De Biasi, në “House of Football”: Detyra ime, të rizgjoja cilësinë e lojtarëve

08/12/2015 00:00

Falë kualifikimit historik me Shqipërinë, Giovanni De Biasi vazhdon të jetë në vëmendjen e mediave italiane dhe të shëtisë nga një studio në tjetrën. Së fundmi, tekniku i përfaqësueses shqiptare ka qenë i ftuar në emisionin “Shtëpia e Futbollit”, që drejtohet nga ish-sulmuesi i Lazios, Paolo Di Canio.

Tekniku 59-vjeçar ka rrëfyer vështirësitë që ka hasur në drejtimin e kuqezinjve, e para për të në nivel kombëtaresh.

“Në Shqipëri, para vajtjes sonë atje, gjëja më e rëndësishme ishte të ishe i mirë në driblime. Shqipëria është një vend i veçantë, ku nuk mungon as dëshira dhe as entuziazmi. Detyra jonë ishte të rizgjonim cilësinë në kokën e lojtarëve dhe t’i përzgjidhnim ata nga kampionate të ndryshme. Për shembull, Berisha luante në Suedi, e morën prej andej dhe e afruam në kombëtare. Nuk është e lehtë të miksosh këtë mentalitet, këtë mënyrë të interpretuari të futbollit”, ka thënë De Biasi.

Në këtë emision, De Biasi ka falënderuar në njëfarë mënyre edhe ndihmësin e tij, pa punën e të cilit nuk do të arrihej ky sukses.

“Paolo Tramezzani u tregua shumë i aftë në seleksionimin e djemve. Besoj se, falë punës së tij, ne tani kemi lojtarë të një niveli të kënaqshëm dhe të gjithë bashkë formojnë një grup të fortë. Nuk ka asnjë skuadër, që dua ta evitoj në këtë europian”, ka thënë më tej De Biasi.

59-vjeçari ka treguar edhe mënyrën sesi i motivon lojtarët kuqezi.

“60-70% e shqiptarëve flasin italisht, ose të paktën e kuptojnë italishten. Në fillim duhet t’u prekësh anën emocionale dhe pastaj, vetëm pas kësaj mund t’u flasësh për taktikë. Gjëja më e bukur është se, lojtarët shqiptarë më kanë ndjekur që nga fillimi i këtij projekti, për faktin se ata donin që të mësonin, donin që të punonin. Dhe kjo është diçka unike”, është shprehur De Biasi.

Batuta e tij e fundit kishte të bënte me Italinë dhe mundësinë e përballjes me “Azzurri”-ët në grupet e Europianit. “Do të ndeshemi në kualifikueset e Botërorit. Mjafton me kaq, nuk duam që t’iu krijojmë probleme të tjera”, është shprehur duke e konsideruar veten shqiptar.

Top Channel