Venezuelë, Maduro i shpall “luftë” opozitës për “amnistinë”

09/12/2015 00:00

Presidenti venezuelian, Nicolas Maduro i ka shpallur “luftë” qeverisë së re në vend, duke thënë se do ta riorganizojë kabinetin e tij pas dështimit të Partisë Socialiste në zgjedhjet legjislative, por premtoi se do të vendosë veton përpara planeve të opozitës për amnistimin e politikanëve të burgosur.

Kreu aktual i Asamblesë Kombëtare, Diosdado Cabello shtoi se qeveria pritet të emërojë 12 gjykatës të rinj të Gjykatës Supreme, mes “detyrave” të tjera për të bërë, por këta brenda 31 dhjetorit. Legjislatura e re, 2/3-tat e së cilës përbëhet nga politikanë të opozitës, pritet të nisë punën në janar.

Qeveria e Venezuelës u trondit ndjeshëm nga zgjedhjet e së dielës, teksa fitoi vetëm 55 vende në Asamble kundrejt 112 të opozitës, duke humbur kështu kontrollin e saj për herë të parë që prej ardhjes në pushtet të ish-presidentit Hugo Chavez në vitin 1999.

Një prej objektivave kryesore të legjislaturës së re është të sigurojë lirimin e politikanëve të burgosur, mes të cilëve më i njohuri është Leopoldo Lopez, i cili u prangos pas udhëheqjes së protestave antiqeveritare në vitin 2014, të cilat u shoqëruan me një valë të dhunshme dhe me mbi 40 viktima.

Megjithatë, Maduro u shfaq sfidues gjatë një fjalimi prej 3 orësh mesnatën e së martës.

“Nuk do të pranoj asnjë ligj amnistie, sepse do të shkelte kështu të drejtat e njeriut, – tha Maduro. – Ata mund të më sjellin me mijëra ligje, por vrasjet duhen hetuar dhe përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi për to”.

Opozita venezueliane, nga ana tjetër, nxiti Maduron më herët gjatë së martës të ndalte valën e justifikimeve për humbjen e kandidatëve të tij dhe në vend të kësaj të merrej me përballimin e mungesës së ushqimeve, si dhe të lironte të burgosurit politikë.

Top Channel