VV, Ymeri: Mustafa po nxit urrejtjen ndaj shqiptarëve të Shqipërisë

09/12/2015 00:00

Në një reagim të postuar në llogarinë  e tij në Facebook, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje kritikon qasjen e qeverisë së Kosovës ndaj shqiptarëve nga Republika e Shqipërisë, që në një formë ose tjetrën janë përfshirë në situatën politike të krijuar së fundmi, nga protestat kundër Asociacionit të komunave serbe dhe demarkacionit me Malin e Zi.

“Na kujtohet shumë mirë koha, kur Serbia pretendonte se të gjithë shqiptarët në Kosovë janë të ardhur nga Shqipëria. Kështu, Serbia legjitimonte projektin e ardhshëm gjenocidial ndaj shqiptarëve për ta bërë Kosovën pjesë të Serbisë”, shkruan Visar Ymeri në Facebook.

Më tej, kreu i Vetëvendosjes denoncon propagandën shpifëse dhe mediatike ndaj disa aktivistëve të kësaj lëvizjeje, që vijnë nga Shqipëria.

“Regjimi i sotëm policor, qëndrimin e ka më të butë: ata po thonë se shqiptarët ‘po shkaktojnë trazira’ dhe se problemet për Kosovën vijnë nga Republika e Shqipërisë. Kështu deklaroi Isa Mustafa, kështu deklaroi këshilltari i tij besnik, Bajram Gecaj, e të tjerë si këta. Dhe menjëherë, siç e do rregulli me këtë lloj pushteti, filloi me punën propaganda shpifëse mediatike, që kërkon ‘deportimin’ e këtyre problemsjellësve nga Republika e Shqipërisë”.

Sipas Ymerit, peticioni i qytetarëve, protestat nëpër rrugë e sheshe, ajo e deputetëve në Kuvend, por edhe ajo e aktivistëve në aksionin politik janë kundër ‘Zajednicës’ së Serbisë. Kosovës, kërcënimet e shqiptarëve në Kosovë i kanë ardhur nga Serbia, e jo nga Shqipëria.

“Është e papranueshme dhe neveritëse kjo propagandë e pushtetit, që nxit urrejtjen ndaj shqiptarëve nga Tirana, Shkodra, Elbasani, Durrësi e Vlora. Kjo mënyrë e të menduarit dhe të vepruarit, përveç se antikombëtare është provinciale e përjashtuese”, thotë Ymeri.

“Shqiptarët do të bashkëjetojnë e do të bashkëpunojnë përkundër vullnetit të Mustafës me shokë, që ta pengojnë këtë. Në Republikën pa ‘Zajednicë’ dhe për Republikën pa ‘Zajednicë’”, përfundon mesazhi i Ymerit.

Ditët e fundit në Kosovë janë shtuar sulmet mediatike ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, që vijnë nga Republika e Shqipërisë, me pretekstin se ata janë pa leje qëndrimi në Kosovë.

Top Channel