Kosovë, tryezë për punësimin dhe emigrimin

09/12/2015 00:00

Të mërkurën, në Prishtinë ka nisur punimet tryeza e rrumbullakët mbi punësimin dhe emigrimin, e cila ishte ide e ministrit gjerman për Bashkëpunim dhe Zhvillim, Gerd Muller, gjatë vizitës së tij në Kosovë në maj të këtij viti.

Në këtë tryezë të rrumbullakët, ku ka pjesëmarrës edhe nga Gjermania, tema kryesore janë puna dhe punësimi, si dhe emigrimi i ligjshëm për punë.

Ambasadorja gjermane në Kosovë, Angelika Viet tha se, vet pjesëmarrja e palës gjermane në këtë tryezë tregon interesin për bashkëpunim mes dy shteteve. Ajo theksoi se bashkëpunimi i qeverisë së Kosovës me atë gjermane ka bërë që të bjerë numri i qytetarëve, të cilët kanë lënë ilegalisht Kosovën, nga 1500 në ditë në 500 brenda muajit.

“Këtë vit kemi pasur një numër shumë të madh e të frikshëm personash, që janë larguar nga Kosova, rreth 1500 brenda një dite. Arsyeja kryesore ka qenë mungesa e perspektivës për të rinjtë dhe mungesa e mundësive të punësimit, ndaj dhe për këtë jemi këtu. Së pari kemi hapur pikën e informimit në Kosovë, një zyrë e vogël ku kosovarët mund të marrin informacione sa u përket mënyrave ligjore të emigrimit, ose të shkojnë në Gjermani për periudha të shkurtra kohore, gjë që është pritur shumë mirë. Emigracioni ilegal ishte shkaku që ne të japim trajnime, mundësi studimi, si dhe mundësi punësimi, në mënyrë që të lehtësohen këto kontakte, prandaj edhe u krijua kjo tavolinë e rrumbullakët”, tha Angelika Viet, ambasadore e Gjermanisë në Kosovë.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi tha se punësimi, arsimi, migrimi dhe riintegrimi janë çështje jetike për Kosovën, sidomos kur merret parasysh numri i lartë i atyre, që janë aktualisht të papunë në Kosovë.

“Në vitin 2016 do të fillojë së funksionuari Agjencia e Punësimit, që do të centralizojë dhe profesionalizojë zbatimin e të gjitha politikave që ndërlidhen me tregun e punës. Për më shumë, për 2016-n janë parashikuar edhe reformat për aftësimin dhe arsimimin profesional. Ministria është e gatshme që të kontribuojë në bashkëpunimin e tanishëm dhe për të ardhmen me ju, ndaj dhe jam i sigurt që kjo tryezë do të shërbejë si katalizator për t’u ballafaquar me sfidat para nesh”, tha Arban Abrashi, ministër i MPMS.

Ministri Abrashi shtoi se, për vitin 2016, edhe fondi i përgjithshëm për masat aktive është rritur me mbi 200%.

Ndërsa ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami tha se kjo ministri është përcaktuar në modelin gjerman të arsimit, si model që i përshtatet nevojave të Kosovës dhe ekonomisë së tregut.

“Politikat tona janë të tilla, që përmes arsimit cilësor profesional të sigurojmë punësim. Po zhvillojmë një projekt të madh me Bashkimin Europian, që ka të bëjë me studimin e tregut të punës dhe përshtatjen e sistemit arsimor ndaj nevojave të tregut të punës. Para 3 muajsh kemi hapur një universitet, sipas modelit gjerman të shkollave profesionale trevjeçare, Universiteti i Ferizajt, dhe menjëherë kemi lidhur partneritet me një universitet të tillë në Berlin, në mënyrë që të bëjmë kurrikulat bashkë dhe t’i përshtatemi nevojave të ekonomisë së tregut”, tha Arsim Bajrami, ministër i MASHT.

Në bazë të statistikave, numri i të papunësuarve të regjistruar deri në fund të nëntorit 2015, në Kosovë është rreth 114 mijë, ndërsa tregu i punës është i karakterizuar nga pjesëmarrja e ulët në punë, papunësi afatgjatë, papunësi e rinisë dhe dallimet e dukshme gjinore.

Top Channel